Shefi i Futbollit në UEFA, Zvonimir Boban ishte i pranishëm në ceremoninë e lançimit të projektit “Uniforma Ime” nga FSHF-ja, teksa pas fjalës së rastit, foli për mediat e pranishme, përshëndeti nismën e Federatës, solli ndërmend finalen e Conference League, por komentoi edhe përballjen Milan-Dinamo Zagreb, dy skuadra të cilat i ka përfaqësuar si futbollist.
Çfarë do të thotë për Shqipërinë, “Uniforma Ime”, pasi bëhet fjalë për një vend jo të pasur ekonomikisht?
Jam shumë i lumtur që jam këtu, pasi është diçka e madhe, shumë më e madhe se një dhuratë, është një mesazh për shoqërinë, një mesazh që futbolli nuk izolohet, një mesazh që FSHF nuk izolohet nga pjesa tjetër e shoqërisë, merr pjesë dhe i jep edhe një përqafim të madh të gjithë atyre që duan futbollin dhe kjo nuk ka çmim pasi jetojmë në një shoqëri ku të gjithë izolohemi, jemi më egoistë më individualistë, dhe ky është një mesazh për kolektivitetin dhe dashurinë.
Vizita e dytë pas asaj për finalen e Conference League. A mund të na jepni përshtypjet edhe pse muaj me vonesë, pasi me atë që ndodhi në Paris në finalen e Champions League, ndoshta ua kaluam edhe atyre për organizimin?
Më vjen keq për Parisin, por organizimi këtu ishte perfekt, në një stadium shumë të bukur, shumë të bukur, një stadium të vërtetë futbolli, që në tokën time, Kroacinë, nuk ekziston akoma. Kemi shumë rezultate, por asnjë stadium. Ne ishim shumë mirë, ishte një finale e bukur, fitoi Roma, në fund me meritë, pasi vuri shumë pasion dhe për Conference League ishte diçka e rëndësishme dhe ju ishit madhështore të gjithë bashkë.
Ka një vizion të ri të UEFA-s që ndihmon zhvillimin e futbollit në vendet e vogla, si janë marrëdhëniet tuaja në këtë kontekst me FSHF-në?
Raportet janë të shkëlqyera, prej shumë vitesh, presidenti i FSHF-së, Duka është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv dhe raportet janë të shkëlqyera. Presidenti i UEFA-s Ceferin vjen nga një vend i vogël si Sllovenia, ndaj e ndjen më shumë nevojën për të zhvilluar futbollin e vendeve të vogla, por UEFA prej shumë vitesh ndihmon shtetet e vogla, në infrastrukturë, në investime dhe në teknikën e zhvillimit, pra në zhvillimin e futbollit.
Unë i përkas brezit që ju ka parë në fushë. Si “shef i futbollit” në UEFA, si e shikon futbollin sot Boban, pasi ai i juaji ishte një futboll më romantik, me presidentët, lojtarët flamuj?
Gjithmonë kur kujtojmë kohët tona na duket më romantik, sepse ne ishim të rinj, ndaj edhe ata para nesh ishin më romantikë se ne dhe është natyrale, por futbolli është shumë i bukur, kaq shumë njerëz identifikohen me futbollin. E duan çmendurisht, ndaj është një lojë shumë e bukur. Jemi vërtetë shumë të zhgënjyer dhe të trishtuar për shumë gjëra që ndodhin përreth futbollit, duke filluar nga agjentët dhe kaq shumë “biznesi” dhe shpesh më pak zemre për skuadrat respektive. Për këtë na vjen keq, pasi këto vlera na përkasim dhe ne duhet t’i ruajmë më gjatë. Edhe madje klubet që ruajnë këto vlera janë ata që kanë më shumë sukses. Ata që nuk i ruajnë këto vlera bëjnë vetëm biznes, por jo rezultate, dhe për këtë jemi të lumtur.
Si e shikon Milanin, që fitoi me ish-skuadrën tjetër tuajën, Dinamon e Zagrebit?
Nuk është një lajm i mirë për zemrën. Tani po më vë në vështirësi ekstreme. Unë jam bir i Dinamos së Zagrebit, babi im ishte përfaqësues i klubit në një qytet të vogël ku të gjithë të tjerët ishin tifozë të skuadrës tjetër, Hajdukut të Splitit, ndaj jam i gjithi blu i Dinamos, duke dashur shumë edhe Milanin, ndaj të shohim, nuk mund të jem i palumtur kur Milan fiton, por jam i palumtur kur Dinamo humbet.
