Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Rrëfehet Olsi Rama/ Pasioni për sportin, skuadra që simpatizon dhe projekti i Partizanit

Në emicionin ‘Zona Gol’, në Supersport, ishte i ftuar në një lidhje direkte edhe Drejtori Sportiv i Partizanit, Olsi Rama. Ai rrëfeu gjithçka mbi pasionin e tij për sportin, por edhe projektin e Partizanit, që synon një organizim model në Shqipëri.

Me cilën skuadër jeni tifoz?
Olsi Rama- Klubi i parë që më ka bërë të ndjej emocionet e futbollit, ka qenë Juventusi. Është një klub model, pasi ka një organizim perfekt, ku punohen seriozisht dhe me planifikim të saktë. Kjo është ajo që i ka munguar Interit dhe që e mban Juventusin në dominancë të futbollit italian.

Si kaluat nga tifoz, në drejtor sportiv?
Olsi Rama- Unë në fakt kam luajtur basketboll dhe jam i kënaqur me atë që kam bërë në basketboll. Po të luaja futboll, ndoshta do të isha bërë portier. Çdo gjë erdhi në mënyrë të natyrshme dhe mu dha mundësia të jap kontributin tim edhe në këtë post, ku besoj se jam në habitatin tim, jam në sport

Si e komentoni ecurinë e Partizanit?
Olsi Rama- Është e vërtetë që Partizani e nisi sezonin me disa lojtarë italianë, që nuk arritën të përshtaten në kampionatin tonë. Te ne luhet një kampionat i fortë dhe shumë taktik, ndaj është e vështirë edhe përshtatja. Në janar ne menduam të bëjmë ato zgjedhje, që do të na japin frytet më vonë, në sezonin e ardhshëm.

Në ç’fazë janë punimet në kompleksin ‘Partizani’ dhe kur mund të përfundojnë ato?
Olsi Rama- Akademia e Partizait nuk është në një situatë komode për momentin, për shkak të problemeve me infrastrukturën. Projekti është shumë i bukur, 37.000 metër katror, me një stadium prej 4-5 mijë vendesh, fusha stërvitore dhe disa minifusha, si dhe hotel për akomodimin. Projekti është duke u zbatuar, pasi është zhvilluar një pjesë e madhe e punimeve. Ka përfunduar karabinaja e hotelit, por edhe e stadiumit, ndërsa presim edhe një bashkëpunim me UEFA-n për të na mbështetur në ndërtimin e këtij kompleksi.

Aktualisht Partizani është me humbje, pasi ka shumë pak të ardhura. Cila është ideja juaj për ta bërë këtë klub rentabël?
Olsi Rama- Shpenzimet janë të konsiderueshme dhe mënyrat e vjeljes së të ardhurave janë të limituara. Po punojmë që të rritim të ardhurat nga reklamat, apo stadiumi etj, ndërsa duam të vlerësojmë edhe lojtarët e rinj, që të mund të përfitojmë edhe nga kartonët e tyre.

Partizani humbi me Skënderbeun. Si e patë ju ndeshjen në Korçë?
Olsi Rama- Në këtë fazë të projektit të Partizanit, unë kërkoj në radhë të parë lojën. Edhe pas ndeshjes në Kukës, shkova në dhomat e zhveshjes dhe komplimentova lojtarët për mënyrën e lojës. Edhe sot zhvilluam një lojë të shkëlqyer, por fati nuk ishte në favorin tonë. Lojtari më i mirë në fushë, Gojkoviç shkaktoi edhe atë autogol të pafat.

Partizani vuan në sulm, pasi ka pak alternativa dhe kjo dihej më herët nga ju. Pse nuk afruat lojtarë në këtë repart?
Olsi Rama- Sulmuesit që kemi marrë, janë vërtetë lojtarë të mirë, por akoma nuk janë ambientuar sa duhet me kampionatin tonë. Shpresoj t’i shikoni në javët në vijim dhe do të bindeni për aftësitë e tyre. Nuk menduam të investojmë shumë në atë repart, pasi nuk donim të mbyllnim hapësirat për lojtarë si Bardhi apo Asani, të cilët janë investim i Partizanit. Ndoshta nga Çani prisnim që të rikthehej më shpejt, por sërish po mundohemi të luajmë pa sulmues të deklaruar, ashtu si Spanja vite më parë, apo Napoli aktual.

Pati disa hamendësime mbi një rokadë në pankinë, te Partizani, pasi ju vendosët të mos paguanit për dënimin e Starovës. Cili është raporti juaj, në lidhje me stafin teknik?
Olsi Rama- Ka qenë një lexim i gabuar i situatës, pasi në asnjë moment ne nuk e kemi vënë në diskutim aftësinë e Starovës, por edhe të ardhmen e tij në krye të klubit. I gjithë problem ishte se Starova gaboi si në Kukës, edhe në Vlorë dhe ne donim që ai të pranonte kokë-ulur, se ka gabuar.

Prej kohësh Partizanit i mungon titulli kampion, ajo që tifozët presin më së shumti. A ka një projekt në klub, në lidhje me periudhën se kur do ta synojë këtë?
Olsi Rama- Ne duam të ndërtojmë strukturat ideale për funksionimin e klubit dhe në një rrjedhë logjike, të shkojmë te trofetë. Nuk duam ta fitojmë trofeun në mënyrë rastësore, apo me kosto të madhe, por duke qenë kampionë edhe në organizim.

Starova ka qenë gjithmonë ‘zjarrfikësi’ i Partizanit, pasi e ka marrë klubin në momente delikate dhe e ka nxjerrë nga kriza. A do të ketë ai një mundësi ta ndërtojë vetë ekipin nga e para?
Olsi Rama- Starova ka një vend nderi në klubin e Partizanit, pasi ka qenë përkrah trajnerit Demi edhe kur nuk ka qenë trajner. Ai është mjaft i rëndësishëm për klubin tonë, ndaj pse të mos ia besojmë atij ndërtimin e klubit.

A do të jeni ju njeriu i merkatos së Partizanit?
Olsi Rama- Jo, unë jam drejtor i klubit dhe punoj për pjesën organizative të tij. Nuk jam unë njeriu i duhur për të vlerësuar cilësitë e lojtarëve, pasi duhen ekspertë për të bërë atë punë.

Çfarë e pret Moggin dhe Priettin, në të ardhmen?
Olsi Rama- Të ardhmen ne po e përjetojmë tani. Prietti është Drejtor Sportiv i klubit dhe është pranë skuadrës tërë kohës. Moggi është këshilltar i presidentit Demi dhe është një arkivë me idetë e tij, ndaj shpresojmë që të vazhdojë bashkëpunimi me ata të dy, edhe në sezonet në vijim, pasi jemi të kënaqur me punën që po bëhet.

Ju larguat disa lojtarë në janar, të cilët po shënojnë gola në klubet ku kanë shkuar. A keni ndonjë pishman apo keqardhje?
Olsi Rama- Jo, aspak, pasi i lamë vetë të lirë ata dhe madje u urova shumë suksese gjatë vendimit të prishjes së kontratës. Ata kishin shumë vite te Partizani dhe nuk kishin përmbushur objektivat, ndërsa kohët e fundit kishin humbur edhe stimujt e nevojshëm për të luajtur me Partizanin, duke u kapur nga rehatia që kishin gjetur.

A ka ende shpresë te Partizani, që të pretendohet diçka në këtë sezon, duke qenë se edhe kalendari vjen duke u lehtësuar disi?
Olsi Rama- Objektivi ynë primar është të rritim dhe përmirësojmë cilësinë e lojës. Nëse e bëjmë këtë, atëherë rrjedhimisht do të vijnë edhe rezultatet, ndërsa mund të theksoj se jemi brenda mundësive për të realizuar objektivin tonë, që është Europa League.

A është kaq e fortë konkurrenca në kampionatin shqiptar?
Olsi Rama- Është vërtetë shumë e fortë konkurrenca, pasi luhet një futboll shumë i fortë, me shumë llogari dhe me theks në detajet mbrojtëse. Unë nuk e pëlqej shumë këtë lloj loje, pasi jam më shumë tifoz i lojës sulmuese, por që kështu funksionon këtu dhe ndaj është vërtetë shumë konkurruese Superliga.

A ka pësuar rritje kampionatin shqiptar dhe cilat janë premisat për të ardhmen?
Olsi Rama- Kampionati shqiptar është një kampionat i dorës së dytë, por mendoj se duhet të përmirësojmë disa aspekte, për të ngritur edhe më shumë nivelin. Na duhet të sjellim më shumë njerëz në stadium, që do të përkthehet në më tepër interes dhe më shumë të ardhura për klubet. Gjithsesi, ka ndryshuar shumë për mirë, në vitet e fundit, Kategoria Superiore.

Si është bashkëpunimi juaj me presidentin e Partizanit?
Olsi Rama- Kemi një bashkëpunim ekzemplar. Ai është një person që i ka ngritur shumë herët bizneset e tij, ndërsa Partizanin e ka shumë për zemër dhe dëshiron ta rikthejë te titujt. Më ka dhënë shumë hapësirë për shumë aspekte të vendimmarrjes, por unë vetë e ndjej të nevojshme të konsultohem shpesh me të.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...