Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Rritet optimizmi për zhvillimin e Lojrave Olimpike në verë!

Rritet optimizmi për zhvillimin normal të lojërave të ardhshme olimpike. Këtë herë është vetë Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach që shpreh bindjen në organizimin brenda kalendarit të përcaktuar dhe mbarëvajtjen e Olimpiadës së 32 të Lojërave Verore, aktivitet madhor që do të zhvillohet në mesin e vitit të ardhshëm në Tokio. 66-vjecari gjerman është shumë optimist për pjesëmarrjen e tifozëve në “vendin e lindjes së diellit”, madje Thomas Bach ka besim të plotë se në tokën nipone do të kenë mundësi për t’I ndjekur këto lojëra edhe të huajt, që do të kenë dëshirë për të parë nga afër garat në disiplinat e ndryshme. Numri 1 I Komitetit Olimpik Ndërkombëtar shpjegoi se do të ketë një kontroll të përpiktë dhe të hollësishëm gjatë gjithë kohës së qëndrimit për cdo njeri që do të udhëtojë drejt Japonisë për të ndjekur Olimpiadën e Tokios, por në asnjë lloj rrethane nuk bëhet fjalë për masa izolimi, apo regjim të detyruar karantinimi.

Në krahun tjetër Drejtori i Përgjithshëm i Komitetit Organizator të Lojërave Olimpike të Tokios, Toshiro Muto qartësoi se tifozët e huaj që janë të interesuar për ndjekjen e garave të Olimpiadës së 32 nuk do të jenë të shtrënguar për t’iu nënshtruar rregullave të rrepta të izolimit. Më herët drejtuesi më i lartë i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach pati deklaruar se anulimi i këtyre lojërave nuk është marrë në konsideratë dhe bëhet fjalë për një opsion që as nuk mendohet fare. Një deklaratë e tillë natyrisht që influencon ndjeshëm për të shtuar optimizmin për një prani të konsiderueshme të publikut në Olimpiadën e Tokios. Të dielën e kaluar u zhvillua një lloj testimi në sportin e gjimnastikës artistike, me praninë e 2.000 spektatorëve, ku u vendosën masa shumë të rrepta, si mbajtja e detyrueshme e maskës, përdorimi i dezinfektuesve të ndryshëm, matja e temperaturës për të gjithë, ndërkohë në ambjentet e brendshme u ndaluan të bërtiturat.

Masa të tilla pritet që të aplikohen gjithashtu edhe gjatë muajve korrik e gusht, gjatë garave të ndryshme të lojërave olimpike, megjithëse mbetet ende shumë për të bërë dhe ka gjëra që mund të përmirësohen në shumë aspekte, ku sigurisht spikat gjetja e mënyrës së duhur për t’i kufizuar fansat që të bërtasin apo brohorasin nëpër shkallët e stadiumeve dhe impianteve të ndryshme, që do të presin garat e olimpiadës së ardhshme. Pra në përgjithësi është rritur besimi se Olimpiada e Tokios do të ketë edhe praninë e tifozëve të huaj, pavarësisht se për momentin autoritetet japoneze kanë kufizuar hyrjet në tokën nipone për turistët apo vizitorët, duke patur parasysh fuqizimin e virusit Covid – 19 dhe përshkallëzimin e situatës së pandemisë së koronaviruzit në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Thomas Bach pritet të mbërrijë në Tokyo javën e ardhshme për herë të parë, që nga shtyrja e Olimpiadës së 32 dhe Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar theksoi se të gjithë ndihen optimistë pas testeve të kryera në Japoni, se një numër i konsiderueshëm i spektatorëve do të ketë mundësi për t’i ndjekur këto lojëra, megjithëse për momentin numri 1 i KON-it nuk saktësoi se deri në cfarë mase, apo në cfarë kushtesh, pasi kjo është dicka që do të varet shumë nga zhvillimet që do të ndodhin në të ardhmen.

Ndërkohë drejtuesi më i lartë i komitetit organizator të këtyre lojërave Toshiro Muto deklaroi se me një pjesëmarrje të lartë të tifozëve të huaj në Japoni bëhet i pamundur karantinimi në masë, apo privimi i tyre nga transporti publik. Ish-zëvendësguvernatori i Bankës së Japonisë 77-vjecari Toshiro Muto shfaqi besim te strategjia e përzgjedhur për një kontroll të shpeshtë e sa më të detajuar dhe një mbikqyrje shëndetësore, duke filluar që nga hyrja në territorin japonez, si dhe reagimin e shpejtë të institucioneve përkatëse apo dhe marrjen e masave të posaçme në rastet kur do të pikasen simptomat e koronavirusit.                          

 

 

       

 

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...