Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Rroca: Kombëtarja ëndrra e madhe, synojmë ngjitjen në Superligë me Istanbulspor

Eduart Rroca nuk është lojtari që ka ndjekur rrugën e një talenti të spikatur që në embrion, i është dashur punë, madje shumë punë, duke e nisur nga kategoritë e ulëta, nga terrenet e vështira dhe transfertat e ashpra për të mbrritur në moshën 27-vjeçare në ligën e dytë turke me një skuadër të respektuar si Instanbulspor.

Një numër 10-të nga të paktit që kishin mbetur në Shqipëri më në fund pati shansin të luante jashtë vendit dhe për këtë ndjehet mjaft i lumtur, një aventurë që ka nisur me këmbën e djathtë për lushnjarin.

“Kam pak kohë që jam pjesë e Instanbulsporit. Ndjehem shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur me aventurën e re e mundësinë e re që mu dha. Përshtypjet janë shumë të mira dhe kushtet e ambientet stërvitore gjithashtu janë shumë të mira. Jam shumë i kënaqur dhe ndjehem mirë, pasi edhe debutimin e patëm me fitore, ndaj shpresoj të vazhdojmë kështu”, tha futbollisti lushnjar.

Ambiciet janë ato që e shtyjnë një futbollist të japë maksimumin, sepse nëse nuk ke objektiva personal, çfarë kuptimi ka, megjithatë edhe objektivat e skuadrës janë mjaft të rëndësishëm.

“Objektivi personal është i njëjtë gjithmonë, që të bëj më të mirën në fushë dhe të japim maksimumin. Shpresoj që të ndihmoj ekipin sa më shumë me performancën time dhe të jem i domosdoshëm për skuadrën në fushë, duke kontribuuar me asiste dhe gola. Objektivi i ekipit është të provojë ngjitjen në Superligë, pasi i ka të gjitha kushtet dhe një organikë cilësore. Gjatë dy viteve të fundit në ekip vetëm janë shtuar futbollistë cilësorë dhe besoj se do t’ia dalim të kthehemi në Superligën turke”, tha Rroca.

Shumë pak ditë mjaftuan që tek Instanbulspori, Eduart Rrocës t’i bashkohej një shok brenda dhe jashtë fushës si Kristal Abazaj, marrëdhënia që kanë është e sigurt që do t’i ndihmojë për ta kaluar më me thjeshtësi periudhën e ambjentimit në Stamboll.

“Me Abazajn jemi bërë si ata vëllezërit e pandashëm, pasi është i treti ekip që luajmë bashkë. Kemi zhvilluar ndeshje të mira bashkë dhe merremi vesh shumë mirë me njëri-tjetrin. Kjo do të na ndihmojë edhe te Instanbulspori dhe shpresoj që të bëjmë shumë mirë”, deklaroi futbollisti.

Kukësi është e shkuara e afërt dhe nuk mund të mos e ketë një koment për largimet e fundit dhe situatën aktuale tek ish skuadra e tij.

“Kukësi ka pasur disa largime e firo, një pjesë e të cilave edhe të papritura. Por besoj që do të ketë afrime këto ditë, pasi Kukësi është gjithmonë aty, mes pretendentëve”, u shpreh fantazisti.

Në fund, cila është ëndrra e madhe e Eduart Rrocës…

“Unë e kam thënë dhe vijoj ta them deri ditën e fundit që do të luaj futboll. Ëndrra që shpresoj të realizoj, është të marr një thirrje nga Kombëtarja Shqiptare. Do ta pres gjithmonë dhe shpresoj që të vijë, gjithmonë nëse do të paraqitem mirë dhe do të arrij objektivat edhe me skuadrën ku jam aktualisht. Besoj që i kam cilësitë për të qenë pjesë e saj”, deklaroi Rroca.

Lajme të tjera

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...