Mbrëmjen e kësaj të marte përcaktohen edhe dy skuadrat e fundit përfaqësuese që do të kualifikohen në mënyrë të drejtpërdrejtë për në botërorin e ardhshëm, për të plotësuar përfundimishte edhe numrin e kombëtareve nga Konfederata e UEFA-s që shkojnë direkt për në Rusi 2018, falë vendeve të para në grupet respektive. Është epilogu i kësaj faze, përpara se të vazhdohet me takimet e play off-it, sidoqoftë radhën për të zbritur në fushë e kanë përfaqësueset e grupeve A, B dhe H. Në Grupin A Franca i komplikoi disi gjërat pas barazimit absurd me Luksemburgun në shtëpi, duke reduktuar avantazhin ndaj Suedisë, nga tre në thjesht një pikë diferencë, gjithsesi ekipi i Didier Deschamps tani ka një rast të shkëlqyer për ta hedhur prapa krahëve atë rezultat, teksa pret në Saint – Denis Bjellorusinë. Kuptohet miqtë kanë ndryshuar shumë nga viti 2010, kur brenda në “Stade de France” ia dolën mbanë për të befasuar me atë fitore 1-0 në fund. 13 muaj më parë “blutë” u bllokuan në një barazim 0-0 në “Borisov Arena”, por sidoqoftë këtë herë “trikolorëve” u mjafton edhe një fitore minimale për të garantuar pjesëmarrjen në fazën finale. Takimi tjetër Holandë – Suedi ngjall interes vetëm për përfaqësuesen skandinave, pasi në “Amsterdam Arena” “portokallinjtë” duhet patjetër të fitojnë ndeshjen ndërmjet tyre me plot shtatë gola diferencë, sepse pas suksesit 8-0 ndaj Luksemburgut “verdheblutë” jo vetëm që e ruajtën epërsinë e 3 pikëve ndaj “tulipanëve” por gjithashtu e cuan në 26-7 golaverazhin e tyre, pra +12 gola krahasuar me skuadrën e Dick Advocaat. Takimi i fundit i këtij grupi Luksemburg – Bullgari ndërmjet dy skuadrave që kanë nga 5 pikë në klasifikim nuk pritet të influencojë aspak në tabelën e renditjes, pasi Suedia nuk ka humbur fare pikë me këto dy ekipe, kështuqë kombëtarja skandinave do të jetë pa problem në fazën play off. Grupi B ofron sfidën më të fortë të mbrëmjes, pasi në “Da Luz” të Lisbonës Portugalia do të presë Zvicrën. Përfaqësuesja “helvete” deri më sot është me 100% të pikëve, teksa ka fituar si asnjëherë tjetër në histori 9 nga 9 ndeshjet në dispozicion. Në krahun tjetër skuadra “luzitane” pozicionohet në vendin e dytë, me tre pikë më pak, pikërisht për pasojë të disfatës 2-0 në “St. Jakob-Park”, që erdhi menjëherë pas triumfit të ekipit të Fernando Santos në kampionatin e fundit europian. Në Bazel asokohe skuadra e drejtuar nga Vladimir Petkovic shënoi dy gola që në 30′ e para, gjithsesi Zvicra ka fituar me rezultatin 2-0 pikërisht dy përballjet e fundit ndërmjet tyre, pasi i njëjti rezultat është regjistruar edhe nëntë vjet më parë, në fazën finale të “Euro 2008”. Zvicra kryeson bilancin e përgjithshëm ndërmjet tyre, me 4 fitore 4 barazime dhe 3 humbje, e në Lisbonë përfaqësuesja helvete kualifikohet direkt qoftë edhe me një barazim, megjithatë këtë radhë gjërat janë ndryshe, pasi vlen të përmendet fakti që 13 muaj më parë në “St. Jakob-Park” mungonte lojtari që ka fituar 3 nga 4 topat e fundit të artë, Cristiano Ronaldo. Grupi plotësohet me dy ndeshjet e tjera Hungari – Ishujt Faroe dhe Letoni – Andora, që do të përcaktojnë përfundimisht edhe fatet e vendit të tretë dhe të pestë në klasifikim. Në Grupin H gjërat janë zgjidhur prej kohësh, pasi Belgjika që pret në shtëpi Qipron ishte e para përfaqësuese që u kualifikua për në botërorin e ardhshëm nga Zona e UEFA-s, ndërkaq Greqia ruan epërsinë e dy pikëve ndaj Bosnje Hercegovinës dhe në Stadiumin e zjarrtë “Georgios Karaiskakis” të Pireut kombëtares “helene” i mjafton edhe një fitore minimale ndaj Gjibraltarit, që ka pësuar plot 43 gola deri më sot, për të garantuar pjesëmarrjen në play off. Ddërkaq takimi i fundit i Grupit H luhet në Talin, ku Estonia do të ndeshet me përfaqësuesen e Bosnje Hercegovinës.
