Eliminatoret e ‘Rusi 2018’ do të vazhdojnë sot me ndeshjet e parafundit të grupeve A, B dhe H. Në grupin A, Bullgari-Francë do të jetë përballja më interesante, me ekipin e Deschamps që do të kërkojë fitoren për të ruajtur vendin e parë, që e kualifikon direkt për në botëror. Holanda do të udhëtojë në Bjellorusi, ku fitorja është e vetmja rrugë për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në fazën e Play Off, pasi në ndeshjen e fundit do të presë Suedinë e vendit të dytë dhe në rast fitoreje do të mund ta parakalonte. Nga ana tjetër, Suedia pret Luxemburgun, në një takim ku nuk lejohen surprizat.
Në grupin B e vetmja garë është ajo për vendin e parë në grup, mes Zvicrës dhe Portugalisë, të cilat do të luajnë respektivisht me Hungarinë dhe Andorën, tre ditë para se të matin forcat me njëra-tjetrën në Lisbonë.
Në grupin H, Belgjika është e kualifikuar, me 22 pikë në tetë ndeshje dhe do të udhëtojë në Bosnjë. vendasit do të kërkojnë fitoren ndaj belgëve, si mënyra e vetme për të mbajtur fort vendin e dytë, por edhe për të përmirësuar renditjen mes të dytave të të gjitha grupeve, sepse aktualisht është skuadra me më pak pikë. Nga ana tjetër, Greqia do të udhëtojë në Qipro, ku fitorja është detyrim, por mund të mos vlejë në rast se Bosnja merr tri pikët ndaj Belgjikës.
Edhe sot Supersport vjen me 5 transmetime direkte të eliminatoreve europiane të botërorit ‘Rusi 2018’, për të filluar me Bosnjë-Belgjikë, në orën 18:00, në Supersport 2 dhe për të vijuar me katër takime në orën 20:45, si më poshtë:
Bullgari-Francë Supersport 2
Bjellorusi-Holandë Supersport 3
Andora-Portugali Supersport 4
Zvicër-Hungari Supersport 5
