Kupa e Botës u mbyll mes lotëve nën rreshjet e dendura të shiut në stadiumin Luzhniki të Moskës, lot gëzimi për Francën dhe hidhërimi për Kroacinë, megjithatë e sigurt është që lojtarët e të dy kombëtareve do të mbeten në librat e historisë për atë çfarë realizuan për kombet e tyre. Meqë jemi tek lotët në shi, lot që jo gjithnjë janë të dallushëm dhe simbolizojnë një vuajtje e brendshme për atë që mund të kish qënë por që nuk u realizua kurrë.
I pari që u rrëzua pa nisur ende kompeticioni ishte Julen Lopetegui. Reali bëri publik akordin me teknikun e Spanjës dy ditë përpara ngritjes së siparit, një lëvizje që ndëshkoi menjëherë trajnerin bask i cili u shkarkua nga stoli i iberikëve në prag të startit të kompeticionit. “Ishte dita më e errët e jëtës timë që pas vdekjes së mamasë” do të deklaronte Lopetegui. Largimi i tij ishte një nga arsyet kryesore se përse Spanja dështoi në Kupën e Botës
Një tjetër rast prekës është ai i Mohamed Salah. U largua në lot nga finalja e Champions Leagues pas ndërhyrjes së Ramos, duke qënë në ankth pikërisht në lidhje me Botërorin. Nuk luajti në takimin e humbur ndaj Ururguait, e më pas nuk la dot shenjë, në fund gjeti golin kur ëndrrat ishin thyer.
E veçantë ishte edhe aventura Marokut. U dorëzuan me një autogol ndaj Iranit, më pas erdhi humbja kundër Portugalisë me vetëm një gol e në fund barazimi 2-2 me Spanjën, duke mbyllur një turne ku meritonte me shumë.
Më shumë meritonte pa diskutim edhe Senegali. ” Luanët e Terangës” u dorëzuan në lot vetëm e vetëm se ishin ndëshkuar me më shumë karton të verdhë se sa Japonia. Eliminimi do ti mbetet peng gjithmonë, të largohesh nga kompeticioni që ke dashur gjithë jetën për 2 kartonë të mallkuar.
3 dështimet e 3 yjeve më të mëdhenj në planet. Lionel Messi, Cristiano Ronaldo e Neymar. Argjentinasi nuk la shenjë thuajse në asnjë takim përjashto golin me Nigerinë. Portugezi e nisi me një paraqitje fantastike ndaj Spanjës por erdhi aureola e tij erdhi duke u zvanitur në vijimësi ndërsa braziliani ndoshta edhe për shkak se vinte nga një dëmtim nuk tregoi thuasje asnjëherë potencialin e padiskutueshëm që disponon.
Në fund zhgënjimi i Belgjikës e Anglisë. Belgët me supertalente kishin filluar ta shikonin veten me trofe në duar, ndërsa në Angli nga mosbesimi në fillimin e Botërorit kishin nisur të këndonin “It’s coming home”, për fatin e keq të tyre nuk u kthye në shtëpi e as nuk shkoi në Bruksel, por u ngjit në kullën Eiffel.
