Futboll

Salah: Duket argëtuese kur ai që të ka bërë të qash, tani të bën të qeshësh

Ndonëse kanë kaluar plot 14 ditë nga finalja e Ligës së Kampionëve, polemikat për ndërhyrjen e Sergio Ramos ndaj Muhamed Salah vijojnë ende. Së fundi ka qenë vetë sulmuesi egjiptian, ai që ka reaguar për herë të parë për këtë rast, duke iu përgjigjur deklaratave të Ramos.

Kapiteni i Realit të Madridit ishte shprehur më herët, se kishte folur me Salah dhe se ky i fundit mund të vijonte ndeshjen, por kjo nuk u pranua aspak nga egjiptiani.

“Është e vërtetë që shprehu keqardhjen, por nuk i thashë për asnjë moment se isha mirë. Nuk e di nëse e ka bërë ndërhyrjen me dashje apo jo, por më duket argëtuese. Dikush që më parë të ka bërë për të qarë, tani të bën të qeshësh. Ndoshta mund të tregojë edhe se kur do jem gati për Botërorin”, deklaroi Salah, që dukshëm nuk i ka mirëpritur fjalët e Sergio Ramos.

Kapiteni dhe qendërmbrojtësi i Realit të Madridit, ndërhyri ndaj Salah duke e dëmtuar në shpatull dhe duke bërë që egjiptiani të lërë finalen në lot, zëvendësim që ndikoi edhe në lojën e Liverpoolit në minutat në vijim.

To Top