Maurizio Sarri doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të finales së Kupës së Italisë, që është planifikuar për t’u luajtur nesër në mbrëmje dhe që për rastësi do të gjejë përballë të shkuarën e tij, Napolin.
Tekniku i bardhezinjve deklaroi se acarohet shumë kur i thonë se nuk ka fituar ende asgjë në Itali, ndonëse gjatë karrierës së tij ka çuar një kategori më lart plot 8 skuadra dhe ka garuar për 3 sezone për titull me Napolin.
“Kur më thonë që nuk ke fituar asgjë në Itali, më vijnë k…. rrotull. Kam ngjitur 8 skuadra një kategori më lart, por e di që janë shumë pak për ata që flasin për tituj si Champions e kampionat. Nuk më intereson kundërshtari që kam përballë, por vetëm skuadra ime, pasi dua që ta fitojmë atë trofe nesër”, deklaroi Sarri.
Tekniku bardhezi vlerësoi maksimalisht kundërshtarin dhe u bëri apel të tijve se prej Napolit e kanë pësuar edhe skuadra si Interi e Barcelona, ndërsa zbuloi se në sulm do të luajë me Ronaldon, Dybalën dhe Douglas Costën.
“Napoli mbrohet shumë mirë mbrapa dhe kërkon të dalë në kundërsulm. Kur rrinë mbrapa janë shumë solidë dhe më pas dalin shumë shpejt, pasi kanë lojtarë të përshtatshëm për kundërsulm. Duhet të bëjmë shumë kujdes, pasi kështu na kanë mundur neve, Interin dhe Barcelonën. Në sulm do të luajnë Ronaldo, Dybala dhe Douglas Costa, pasi nuk kemi një sulmues me karakteristike për të luajtur në majë të repartit”, tha trajneri i Juves.