Connect with us

Hi, what are you looking for?

Serie A

Sekreti i përmbysjeve te Napoli, Ancelotti i ka dhënë vlerë stolit

Të gjithë ata që parashikonin një Napoli më të dobët këtë sezon, janë zhgënjyer tashmë, pasi të kaltrit e Ancelottit kanë kaluar me sukses dy testet e para sezonale, që për rastësi të shortit të kalendarit, ishin ndaj dy kundërshtarëve aspak komodë, si Lazio dhe Milani.

Për më tepër, vlen të përmendet se si në fitoren kryeqytetase ndaj bardhekaltërve të Simone Inzaghit, ashtu edhe mbrëmë ndaj Milanit, napolitanët kanë arritur të marrin 3 pikët vetëm pasi kanë kaluar në disavantazh.

Kjo është një dëshmi e qartë e aftësive të Ancelottit për të vlerësuar si duhet takimin dhe për të bërë zëvendësimet e duhura në fushë, duke vlerësuar në këtë mënyrë edhe lojtarët e stolit.

Tekniku i cili u rikthye pas 9 vitesh në Serinë A, vendosi të bazohet te skuadra që i la Sarri dhe që fitoi 91 pikë në sezonin e kaluar, ndërsa risia e vetme është rikthimi si protagonist i Marek Hamsik, që tashmë është pozicionuar në regji dhe ka marrë në dorë organizimin e lojës së napolitanëve.

Sa i përket pjesës tjetër, Ancelotti ka vlerësuar ata që Sarri i përdorte pak, si Zielinski dhe Diawara, me polakun që ishte protagonist me një dopietë spektakolare dje, dhe 21-vjeçarin nga Guinea, që është gati të rregullojë balancat, ku aktivizohet para mbrojtjes.

Për më tepër, përveç rreshtimit 4-3-3 që përdorte Sarri, me Milik në majë të sulmit, Ancelotti në të dy takimet ka aktivizuar Mertens si fantazist, duke kaluar herë pas here në 4-2-3-1, për të befasuar sadopak kundërshtarin.

Gjithsesi Carletto e di mirë se për të fituar trofe, duhet të shkosh me një organikë të fortë dhe në formë maksimale, në muajt mars-prill, që janë edhe vendimtarë për çdo skuadër. Pikërisht për këtë arsye tekniku kërkon të integrojë sa më parë lojtarë si Rog, Fabain Ruiz apo Verdi, të cilët do të jenë një vlerë e shtuar për pjesën e dytë të sezonit.

Kështu të gjithë parashikimet nënvlerësuese para sezonit bien poshtë, pasi Napoli jo vetëm që është ende skuadra anti-Juventus, por për më tepër, duke vlerësuar edhe pankinën, tashmë Ancelotti ka bërë një hap të parë drejt titullit kampion.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...