Sfida e fundit në “Kukës Arena”, ekipi i Longos për suksesin e radhës

Kukësi luan për herë të fundit në shtëpi këtë sezon dhe përballë do të ketë Skënderbeun, skuadrën që ka “prerë” biletën për në Kategorinë e Parë.
Verilindorët janë ende në ethet e zonën europiane dhe në këtë javë të 35-të do të kërkojnë fitoren e dytë radhazi në shtëpi pas suksesit ndaj Dinamos, por gjithashtu, do të kërkojnë të dytën radhazi në kampionat pas shkurtit.
Skuadra e Diego Longo-s renditet në vendin e katërt me 49 pikë, ndërsa në pesë javët e fundit ka grumbulluar vetëm katër pikë, por gjithsesi mbetet në pjesën e sipërme të renditjes dhe në lojë për objektivin “Europë”.
Përballë korçarëve, Kukësi do të ketë në dispozicion edhe Jorgo Pëllumbin i cili është rikthyer të jetë i gatshëm, pas pezullimit për shkak kartonësh.
Me “halle” të reja, Skënderbeu është vetëm një vizitor në minutat e fundit të këtij sezoni, me korçarët të cilët janë në “turin” përshëndetës me elitën pas 13 vitesh. Skuadra e Licit vjen pas disfatës në shtëpi me Laçin, një humbje e cila erdhi me përmbysje, ndërsa pritet të ketë përsëri risi në formacion, me Skënderbeun që po provon elemente të rinj, si një test për sezonin e ri.
Korçarët mbyllin klasifikimin, në vendin e 10-të me 25 pikë, ndërsa në pesë javët e fundit kanë të njëjtin rendiment si kundërshtari i kësaj jave, duke koleksionuar katër pikë. Ajo që vlen për t’u theksuar është fakti se, Skënderbeu rrezikon ta mbyll sezonin pa asnjë fitore në transfertë, pasi deri tani numëron 7 barazime dhe 10 humbje.
Në këtë sezon, kjo përballje i ka dhuruar të tre rezultatet, një fitore për Skënderbeun, një barazim dhe një fitore për Kukësin, ndërsa korccarët rikthen pas shumë vitesh të luajnë në transfertën “e vërtetë”, në Kukës.
