Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Sfidat e prapambetura, Leicester luan Championsin ndaj Man. United

Sezonit në Angli po i vjen fundi dhe pak a shumë gjërat janë ndarë dhe qartësuar, përsa i përket objektivave të ndryshëm që kanë ekipet në Premiership. Pas takimit përmbyllës të javës së 35 Fulham – Burnley në “Craven Cottage” këtë javë në ishull do të rikuperohen gjithashtu edhe tre sfidat e prapambetura, për të plotësuar përfundimisht kalendarin e këtij edicioni të Premier League-s, duke i barazuar në këtë mënyrë të gjithë klubet për nga numri i ndeshjeve të zhvilluara.

Kështu të martën në mbrëmje në orën 21:15 në jug të vendit në Hampshire do të luhet takimi Southampton – Crystal Palace, ndërsa të enjten radhën do ta kenë edhe dy ndeshjet e tjera Aston Villa–Everton në orën 19:00, si dhe derbi i famshëm i veri – perëndimit Manchester United – Liverpool, që do të mbahet në “Old Trafford” në orën 21:15 dhe do të drejtohet nga Michael Oliver. 36-vjeçari nga Kolegjiumi i Durham-it është përcaktuar gjithashtu edhe si arbitri kryesor i finales së 140 në kompeticionin më të vjetër në rruzull në rang klubesh FA Cup Chelsea – Leicester City, që do të zhvillohet të dielën e ardhshme në “Wembley”.

Pikërisht finalja e edicionit të sivjetshëm të Kupës së Federatës do të influencojë gjithashtu edhe javën tjetër të kampionatit anglez, kështu që fundjavën e ardhshme në Premier League nuk do të luhen 10 por vetëm 8 takime. Drejtuesit e futbollit anglez kanë ngjeshur kalendarin e Leicester-it dhe Chelsea-t, duke i paraprirë kështu gjithë ndeshjeve të tjera dhe në këtë mënyrë “dhelprat” do të masin forcat në “Teatrin e Ëndrrave” me “djajtë e kuq”, ndërsa derbi londinez Chelsea – Arsenal ku janë të përfshirë “blutë” është programuar për t’u mbajtur në “Stamford Bridge”, të mërkurën në mbrëmje në orën 21:15.

Pra gjithë serinë e këtyre sfidave do ta çelë përballja United – Leicester City, që do të luhet ditën e martë përpara takimit tjetër Southampton – Crystal Palace, sidoqoftë nëse për “foxes” është një datë e arsyeshme, që iu lë plot pesë ditë kohë, për të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme finalen e Kupës së Mbretëreshës në krahun tjetër një ngjeshje e tillë e kalendarit i shtrëngon “red devils” për të luajtur plot 4 ndeshje në harkun e vetëm 8 ditëve. E gjitha kjo për shkak të anomalive që shkaktoi shtyrja e derbit të famshëm të futbollit anglez United – Liverpool, që për hir të së vërtetës duhej të ishte luajtur që më datën 2 maj, por në fakt nuk u zhvillua fare për shkak të protestës së dhunshme të verdhjeshilëve të grupimit “green and gold”, që janë kundër pronarëve amerikanë të klubit, pra familjes Glazer që administron klubin e Manchester United që nga viti 2005.

Natyrisht një gjë e tillë nuk ndodh për herë të parë, pasi Tottenham Hotspur vuajti diçka të tillë në fundin e shtatorit dhe fillimin e muajit tetor, duke mbyllur madje serinë e katër sfidave në harkun e vetëm tetë ditëve në Premiership, Kupë Lige dhe Europa League me atë fitore të jashtëzakonshme 6-1 pikërisht ndaj “red devils” brenda në “Teatrin e Ëndrrave”, madje “gjelat” asokohe u shtrënguan për të luajtur deri 7 takime në një periudhë të ngushtë kohe prej vetëm 15 ditësh, sidoqoftë tani i takon trajnerit aktual të United Ole Gunnar Solskjaer që të administrojë ato pak energji që kanë mbetur në një sezon të gjatë dhe vërtet tepër të lodhshëm për të gjithë. Dilemat e formacionit në mënyrë të kuptueshme janë shumë të mëdha për të dy trajnerët.

Vetëm dy ditë pas takimit me Leicester-in “djajtë e kuq” do të kenë ndeshjen e zjarrtë me Liverpulin, që përfaqëson njëkohësisht edhe sfidën më të ndjerë në ishull. Natyrisht 48-vjeçari norvegjez do të mundohet të lerë pushim futbollistët kryesorë, me qëllimin për t’i ruajtur pikërisht për Liverpulin, në mënyrë që t’i bëjë dëm ekipit të drejtuar nga gjermani Jurgen Klopp, duke synuar lënien jashtë Champions-it të klubit nga Merseyside, ndërsa në krahun tjetër në mënyrë të pashmangshme trajneri Brendan Rodgers dhe lojtarët e Leicester City-t duhet të racionojnë forcat për finalen e parë në FA Cup, pas dicka më shumë se gjysmë shekulli. Klubi nga Leicestershire krenohet me titullin e cmendur të sezonit 2015-16 me Claudio Ranieri-n, si dhe 3 finalet e fituara në Kupën e Ligës nga 5 të luajtura gjithsej në atë aktivitet ndërsa në kompeticionin më të vjetër në planet FA Cup “dhelprat” i kanë humbur që të katërta finalet e zhvilluara, të fundit në vitin e largët 1969 po në “Wembley” me Manchester City-n, me rezultatin minimal 1-0.

Në “Villa Park United” vendosi një rekord të ri në historinë e futbollit anglez, duke u bërë i pari klub që fiton 10 ndeshje jashtë fushe dhe përmbysur disavantazhin brenda të njëjtit sezon dhe trajneri nordik u shfaq i lumtur që prishi festën e titullit te rivalët e qytetit, e në këtë mënyrë nëse evitojnë humbjen në takimin me “foxes” “red devils” kanë në dorë për ta shtyrë zyrtarizimin e titullit te “citizens” deri të premten në mbrëmje, kur City i Guardiolës do të vizitojë Newcastle-n në St. James’ Park. Është e qartë që Manchester City e ka në xhep titullin e pestë në dekadën e fundit dhe festa është thjesht çështje kohe, gjithsesi në “Old Trafford” të gjithë po mundohen për t’i lënë ca më gjatë shishet e “sky blues” në frigorifer, duke vonuar momentin e hapjes së shampanjës dhe notave të “blue moon”-it, që simbolizon himnin e “citizens”.

Me triumfin ndaj Vilës United garantoi pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm, tre javë para mbylljes së kampionatit, sidoqoftë pavarësisht rivalitetit të egër dhe dëshirës së madhe të “djajve të kuq” për t’i bërë keq Liverpulit përsëri vendasve iu nevojitet patjetër një rezultat pozitiv, për të mbajtur larg dhe në distancë sigurie një kundërshtar të drejtpërdrejtë për vendin e dytë. Nëntë muaj më parë ekipi i drejtuar nga trajneri Brendan Rodgers shpërdoroi në mënyrë të pabesueshme avantazhin e plot 13 pikëve, duke u mundur madje edhe brenda në King Power nga “djajtë e kuq”, pikërisht në takimin përmbyllës të edicionit të kaluar, duke humbur takimin nga dy gola të pësuar në 20’ e ndeshjes, si dhe trenin Champions, pavarësisht faktit që “dhelprat” kishin qëndruar gjatë gjithë kohës mes katër vendeve të para të kampionatit anglez.

Tani si për cudi miqtë rrezikojnë të përjetojnë po të njëjtën situatë, duke patur parasysh barazimin me “shenjtorët” e Southampton-it, ndonëse luajtën në St. Mary’s me një futbollist më shumë për plot 85’, ndërsa me Newcastle United Leicesteri u mund brenda në Leicestershire, duke rrezikuar ndjeshëm Zonën Champions. Presidenti i Tottenham-it Daniel Levy po këmbëngul gjatë për ta joshur dhe afruar te “spurs”, duke i ofruar 48-vjeçarit nga Irlanda e Veriut mundësinë që të bëhet trajneri i dytë më i pagur në ishull pas Guardiolës, por kreditet e Brendan Rodgers-it mund të bien ndjeshëm, nëse “dhelprat” nuk marrin pikët që nevojiten në sfidat me kundërshtarë si United, Chelsea apo Tottenham dhe kalohen në tabelën e renditjes në Zonën Champions nga një prej skuadrave që ndjekin, pra West Ham, Liverpool, Tottenham dhe Everton. Ndeshja Manchester United – Leicester City do të luhet në orën 21:00 në Stadiumin “Old Trafford”, ndërkaq përballjen e fundit ndërmjet këtyre dy klubeve e fituan “foxes”, që triumfuan shtatë javë më herët me shifrat 3-1, brenda në “King Power”, në fazën çerekfinale të FA Cup.

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...