Futboll

Sfidë morali, Shpresat kuqezi gati të ndalin Spanjën!

Shqipëria e 21-vjeçarëve do të zhvillojë testin e fundit përpara publikut të saj për eleminatorët e Europianit të kësaj grupmoshe, faza finale e të cilit do të organizohet në Itali. Në Selman Stërmasi do të zbresin spanjollët, 4 herë fitues të këtij kompeticioni dhe një nga skuadrat pretendente për të triumfuar verën e ardhshme. Në grupin 2 eliminator iberikët janë dominues pasi në 8 ndeshjet e zhvilluara kanë marë 21 pikë falë 7 fitoreve, ndërkohë që humbjen e vetme ua ka shkaktuar Irlanda e Veriut. Për skuadrën e drejtuar nga Luis de la Fuente nevoitet vetëm 1 pikë në dy ndeshjet e mbetura për të prerë biletën drejt Italisë. Për kuqezinjtë tanë kjo sfidë ka më shumë vlera morali, pasi trajneri Alban Bushi po përgatit skuadrën për edicionin pasardhës, duke qënë se do të përjetojë një ndryshim brezash dhe për më tepër që këtë edicion fati ka penalizuar kuqezinjtë në marjen e pikëve. Një fitore në transfertë ndaj Islandës dhe 3 barazime i kanë dhuruar Shpresës sonë 6 pikë në këto eliminatore. Spanja në Selman Stërmasi dhe Estonia në transfertë do të kompletojnë kuadrin e kësaj fushate që nisi me një barazim pa gola në shtëpi pikërisht ndaj Estonisë. Ajo që duhet vlerësuar është fakti se nga ky ekip kanë bërë hapin e madh drejt skuadrës A disa futbollistë, si Ylber Ramadani, Kristal Abazaj, Emanuele Ndoj, Rey Manaj, apo së fundmi dhe Giacomo Vrioni. Për këtë arsye dueli me Spanjën më shumë sesa për pikët vlen si një vitrinë për të treguar vlerat.

 

 

 

 

 

To Top