Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Shiu i Shkodrës “mbyt” Teutën, Vllaznia shkëputet me 9 pikë në krye

Një gol i Ardit Hoxhajt në minutën e 60’, bëri që Vllaznia ta nisë vitin e ri me fitore, pasi mposhti Teutën me rezultatin minimal 1-0 në “Loro Boriçi”, në një ndeshje të dominuar totalisht nga shkodranët, madje edhe në 30 minutat e fundit kur luajtën me një lojtar më pak.

Sukses më se i merituar për djemtë e drejtuar nga Thomas Brdariç, që kanë grumbulluar 29 pikë në 13 javët e para të Kategorisë Superiore dhe tani mund të quhen me plot gojën, pretendentët kryesorë për titullin kampion.

Reshjet e shiut që kanë pushtuar Shkodrën prej një jave, e kishin bërë shumë të rrëshqitshëm edhe terrenin e fushës së stadiumit “Loro Boriçi”, ndërsa për të bërë më të dukshëm vijëzimin, ishte përdorur edhe metoda primitive e tallashit.

Sfida nisi më mirë për Teutën, që provoi edhe me një krosim të rrezikshëm të Lorenco Vilës, por Mevlan Adili largoi jo pa vështirësi pak para se topi të shkonte në kokën e sulmuesit Blerim Krasniqi.

Më pas kontrollin e lojës e morën vendasit, që deri në fund të pjesës së parë mbyllën durrsakët në gjysmëfushën e tyre, duke i dominuar në të gjitha drejtimet, por shtylla dhe disa grushtime të bukura të portierit Frashëri, u mohuan golin e avantazhit.

Ardit Krymi ishte një lider i vërtetë në pjesën e parë për kuqeblutë, duke rikuperuar një mori topash dhe duke thyer që në nisje kundërsulmet e Teutës, ndërsa edhe Gurishta e Isaevski ishin një rrezik i shtuar me zbritjet e tyre nga krahët.

Edhe pjesa e dytë nisi me Teutën më aktive, pasi durrsakët kërcënuan me një goditje nga distanca, ndërsa Zogovic grushtoi me vështirësi, pasi topi u ndihmua edhe nga terreni dhe shkoi shumë rrezikshëm në duart e tij.

Më pas situatën e morën sërish nën kontroll shkodranët që kërcënuan edhe ata me goditje nga distanca, por në dy raste ishin të pasaktë dhe më pas ishte portieri Frashëri që priti në dy kohë një goditje të rrezikshme të Jonuzit.

Megjithatë gardiani i durrsakëve nuk mundi të bëjë asgjë në minutën e 60’, kur pas një pasimi fantastik të Demir Imerit, Ardit Hoxha doli përballë tij, e dribloi bukur dhe shënoi golin e avantazhit për Vllazninë.

Festë në kampin kuqeblu, ndërsa Martini ndërhyn menjëherë dhe zëvendëson të dy mesfushorët e qendrës. Vetëm 7 minuta më vonë, sulmuesi vlonjat i Vllaznisë, Ardit Hoxha shkakton një faull të panevojshëm me takat lart ndaj mbrojtësit Denis Pjeshka dhe ndëshkohet me karton të kuq.

Protesta të shumta të shkodranëve dhe tension në fushë, teksa arbitri ndëshkon me kartonë të verdhë edhe Pjeshkën e Adilin, për shtyrje mes njëri-tjetrit, ndërsa Vllaznia u detyrua t’i luajë me një lojtar më pak minutat e mbetura.

Edhe pse me 10 futbollistë, shkodranët vijuan të dominojnë takimin deri në fund, ndërsa arbitri Kreshnik Cjapi shkaktoi disa herë nervozizëm në pankinën e Vllaznisë, me vendimet e tij më se të dyshimta.

Pati kohë edhe për blerjen më të re të shkodranëve, sulmuesin Albion Avdijaj, i cili mori vendin e Demir Imerit në minutën e 85-të dhe u mundua të mbajë lart shkodranët me kontrollin e topit dhe presingun te mbrojtësit durrsakë.

Teuta bëri tentativat e fundit në shtesë për të rikthyer baraspeshën, me dy këndore radhazi, që u mbyllën me një goditje të gabuar të Krasniqit, ndërsa vërshëllima finale e arbitrit Kreshnik Cjapi la në fuqi triumfin minimal të shkodranëve, që me këtë sukses shkëputen në krye me 9 pikë para vendit të dytë, që mbahet pikërisht nga durrsakët.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...