Ledio Pano u shkarkua pak ditë më parë nga stoli i U-17 të Partizanit përmes një telefonate. Kjo gjë nuk ka kaluar pa u rënë në sy tifoz-grupit kryesor të “të kuqve” të kryeqytetit, Guerrils, të cilët përmes një postimi në rrjetet sociale kanë “shpërthyer” ndaj drejtuesve të Partizanit.
Ata e cilësojnë se shkatërrim historisë dhe trashëgimisë së “Demave” veprimin e ndërmarrë ndaj Ledio Panos, të cilin e konsiderojnë si sinonim të vetë Partizani.
“Klubi Partizani ka marrë trajtat e një ekipi privat i cili dita ditës i largohet asaj që përfaqëson klubi më i madh dhe më popullor ne Shqipëri. Sa më shumë i largohet historisë dhe asaj çka përfaqëson fanella më e rëndë në vend aq më i madh bëhet hendeku që ka bërë shumë tifozë të largohen, ta refuzojnë dhe ta braktisin para një lloj arrogance të tillë.
Një arrogancë që fillon që me ndryshimin e simboleve të klubit për gusto personale, e mbaron në largimin nga klubi i simboleve që përbëjnë trashëgiminë e lavdisë së këtij klubi. Duhet guxim i madh që të shkarkosh dhe largosh nga klubi PARTIZANI një PANO.
PANO dhe PARTIZANI janë sinonime, dhe veprimet e klubit tregojnë të kundërtën e asaj që duhet të tregojë një klub i madh. Për disa në klub historia e Partizanit fillon në ditën kur kanë zënë zyrën, e ndoshta mbaron në ditën që e lënë, ndërsa në zemrat e tifozëve ngelin shenja të cilat nuk zhbëhen ashtu siç nuk mund të zhbëhet historia e as shija e hidhur që na lënë veprime te tilla.
Ledio Pano i ka lënë shenjat e veta.”-shkruhet në postimin në rrjetet sociale të Guerrils.
