Dalja nga objektivi për titullin kampion, ka bërë që në klubin e Shkëndijës të fillojnë të mendojnë për sezonin e ardhshëm, teksa pasditen e djeshme u njoftua edhe shkarkimi i trajnerit Bruno Akrapoviç.
Ndërkohë sot klubi më i njohur shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ka gjetur menjëherë pasuesin, pasi i ka besuar detyrën e trajnerit të përkohshëm një “ish”-i si Artim Shaqiri.
Ky i fundit ka qëndruar pranë klubit prej një muaji, me misionin për ta vëzhguar dhe për të marrë detyrën e Drejtorit Sportiv, duke nisur nga fundi i këtij sezoni.
Megjithatë shkarkimi i Akrapoviç e ka bërë të nevojshëm rikthimin e menjëhershëm të Shaqirit, që do të qëndrojë në detyrën e trajnerit të përkohshëm deri në fund të sezonit dhe më pas do të marrë rolin e Drejtorit Sportiv.
48-vjeçari nga Struga është një njohës mjaft i mirë i Shkëndijës, pasi ka luajtur me fanellën kuqezi në 2007-ën, ku ka shënuar 7 gola në 25 ndeshje, ndërsa më pas ka mbajtur edhe rolin e trajnerit në sezonin 2012-2013.
