Futbolli nuk është vetëm një garë sportive, por thjesht një magji që di të tejkalojë pengesa e dallime nga më të ndryshmet. Ecuria e shkëlqyeshme e Shkëndijes në UEFA Europa League, duke luajtur si vendase në stadiumin Mlladost në Strumicë, nuk ka mundur të kalojë pa ndikim në publikun lokal të qytetit të populluar në përgjithësi me maqedonas.
Shkendija në tre ndeshje në Strumicë ka fituar me nga tre gola të shënuar në portat e Dacias, HJK Helsinkit dhe Trakait dhe kjo ka bërë që tetovarët të fitojnë simpatinë e maqedonasve. Se fundmi, në takimin me Trakain, situata ka shkuar deri aty sa që një burre i moshuar maqedonas është parë të shëtisë në tribunë duke valëvitur flamurin kombëtar shqiptar.
Gjest i pazakontë dhe i paparë deri tani në një vend me probleme të vazhdueshme etnike, por me futbollin që edhe një herë konfirmohet si forcë magjike, e cila tejkalon dallime nga me të ndryshmet.
