Kombëtarja U-21

Shpresa me katër lojtarë të dëmtuar, Panucci i merr edhe Ramadanin

Ndeshjet me Sllovakinë janë cilësuar si tejet të rëndësishme për ambiciet e Kombëtares Shpresa për ta mbyllur grupin kualifikues të Europianit 2019 në vendin e dytë, pas Spanjës që po dominon. Matematika bën që shanset të ekzistojnë, në mënyrë që kuqezinjtë 21-vjeçarë të synojnë një kualifikim në fazën “play off”, ku do të luajnë katër skuadrat më të mira të vendeve të dyta.

Por përpara dueleve me Sllovakinë, më 23 mars në shtëpi dhe më 27 mars në trasfertë, situata për trajnerin Alban Bushi është komplikuar nga mungesat. Duke nisur nga Ylber Ramadani, i cili do të grumbullohet sërish nga Christian Panucci në Kombëtaren A, për miqësoren me Norvegjinë, më datë 26 mars.

Problemi më i madh për Shpresat janë dëmtimet. Duke nisur nga pikëpyetjet rreth portierit titullar Selmani, që është në garë me kohën për të qenë në fushë dhe për të vazhduar me dëmtimet e sulmuesit kryesor, Fiorin Durmishaj dhe dy mesfushorëve Qazim Laçi dhe Agim Zeka.

Në situatën e krijuar në përfaqësuesen e 21-vjeçarëve janë grumbulluar mesfushori i Interit, Armand Rada, ndërsa rikthehet edhe ish-sulmuesi zikaltër, Rey Manaj, që aktualisht luan i huazuar te Granada në ligën e dytë spanjolle.

Pjesë e Shpresave do të jetë edhe mbrojtësi i Tiranës, Albi Doka, që ka kaluar dëmtimin thuajse dymujor dhe së fundmi është kthyer në stërvitje. Aktualisht Shqipëria renditet në vendin e katërt në Grupin 2 kualifikues me 6 pikë në 5 ndeshje, pozicion të cilin e ndan me rivalët e radhës, Sllovakinë.

To Top