Në prag të ndeshjes Shqipëri-Itali, në “Loro Boriçi” të Shkodrës, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash që do të garantojnë mbarëvajtjen e këtij eventi. Duke parë rëndësinë e ndeshjes dhe prezencën e tifozërisë nga të paktën tre shtete, Shqipëria, Italia dhe Kosova, Policia e shtetit ka urdhëruar kontroll të rreptë të personave që do të hyjnë në Shqipëri, nga data 06-09 tetor 2017.
Gjithashtu, policia ka njoftuar edhe bllokimin e disa prej akseve të qytetit të Shkodrës, për të menaxhuar më mirë situatën me sportdashësit dhe trafikun përreth stadiumit. Nga ana e autoriteteve është bërë e ditur që portat hyrëse për në stadium do të hapen në orën 17:00, dhe i bëhet thirrje tifozëve të cilët kanë një biletë, që të paraqiten sa më herët dhe me mjet identifikimi.
Gjithashtu është ndaluar hyrja e tifozëve me sende të forta, flakadanë, çelësa, monedha, apo sende metalike, ndërsa vijojnë të jenë të përjashtuar tifozët e grupimit Illyrian Elite, që pas incidenteve në stadiumin e Palermos, pikërisht ndaj Italisë. Në “Loro Boriçi” pritet të jenë rreth 1200 tifozë italianë, 500 nga të cilët do të udhëtojnë enkas, ndërsa pjesa tjetër janë rezidentë në Shqipëri.
