Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kombëtare

Shqipëria e Rejës zhgënjen totalisht, humbje e turpshme përballë Lituanisë

Të gjithë prisnin një ndeshje të lehtë për Shqipërinë mbrëmjen e sotme ndaj Lituanisë në “Air Albania”, madje më optimistët kishin parashikuar edhe një triumf me goleadë, por kuqezinjtë zhgënjyen tërësisht dhe u mposhtën me rezultatin minimal 0-1.

Vetëm tre ditë pas një fitoreje tërësisht të merituar në Minsk ndaj Bjellorusisë, kuqezinjtë gabojnë gjithçka, duke nisur nga trajneri Reja me formacionin, ku kishte hedhur tre mesfushorë shkatërrues, për të çarë një kundërshtar që dihej se do të mbrohej me forca të shumta.

Nga ana tjetër trajneri lituan e kishte studiuar në perfeksion lojën e Shqipërisë dhe kishte dhënë porosi të veçanta për markim të rreptë ndaj Gjasulës, i vetmi futbollist në fushë që mund të bënte diçka për organizimin e lojës.

Shqipëria në fushë ishte pa dëshirë dhe ide për të luajtur, ndërsa Lituania filloi të fitojë siguri dhe besim me kalimin e minutave dhe në të paktën dy momente i shkuan pranë golit, por hasën në pritjet vendimtare të Strakoshës.

Nga ana tjetër kuqezinjtë nuk bënë thuajse asgjë në pjesën e parë, me përjashtim të 3-4 veprimeve të bukura teknike të Trashit, por që sigurisht nuk mund të shërbenin për asgjë dhe skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes me rezultatin e bardhë 0-0.

Pjesa e dytë nisi njësoj siç mbaroi e para, me Rejën që nuk kishte marrë guximin t’i ndryshonte asgjë një skuadre që për 45 minuta kishte bërë një futboll medioker dhe pa ide, ndërsa pas vetëm pak minutash vjen edhe rasti që vendosi fatin e ndeshjes.

Pas një aksioni të tanëve Gjasula ktheu më lehtë se duhet një top te portieri Strakosha dhe nga kjo përfitoi sulmuesi lituan Kazlauskas, që dribloi edhe gardianin kuqezi dhe me portën e boshatisur dërgoi sferën në rrjetë, pavarësisht përpjekjes së Hysajt për të shmangur golin.

As ky gol nuk ia ndryshon idetë Rejës, që pret edhe 10 minuta të tjera para se të hedhë në fushë Roshin e Uzunin, të cilët shkundin skuadrën dhe e nxjerrin disa herë rrezikshëm në sulm, aty ku Sadiku e Manaj nuk dukeshin aspak të kthjellët.

Në minutën e 75-të u dëmtua edhe Roshi, që kërkoi zëvendësim dhe prishi tërësisht planet e trajnerit italian, që vendosi të zëvendësojë fierakun me një debutues si Armando Broja, i cili në ato pak minuta tregoi se është me një të ardhme të ndritur.

Mbrëmja u bë edhe më e errët për kuqezinjtë, kur kapiteni dhe një nga futbollistët më me eksperiencë Elseid Hysaj u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me një futbollist më pak në minutën e 87’.

Deri në fund asgjë për t’u shënuar dhe lituanët festuan një tre pikësh tërësisht të merituar, por që nuk e kishin parë as në ëndrrën më të bukur të tyre, ndërsa trajneri Edi Reja do të duhet të ndalet gjatë te ky takim, për të evidentuar gabimet e të tijve, por mbi të gjitha të tij.

Ndërkohë balancohet tërësisht situata në grup, pasi të 4 skuadrat kanë marrë nga një fitore dhe kanë nga tre pikë, ndërsa vetëm për shkak të golavarazhit në krye qëndron Kazakistani.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...