Kuqezinjtë janë pjesë e Grupit B bashkë me Rusinë, Bosnjë & Hercegovinën dhe Lituaninë. Debutimi në “Vlatko Marković 2021” për skuadrën tonë do të jetë në 5 maj ndaj Lituanisë, ndërsa një ditë më pas, më 6 maj, do të sfidojnë Rusinë me duelin që nis në ora 15:45. Takimi i tretë dhe i fundit për Shqipërinë në grup do të luhet më datë 7 maj ndaj Bosnje & Hercegovinës në ora 10:30.

Në ditën e parë të grumbullimit përpara këtij turneu, për fshf.org ka folur trajneri Agron Kërçova, i cili shfaqet optimist nga përbërja e skuadrës dhe seleksionimet që kanë zhvilluar nga janari i këtij viti brenda vendit. “Këtë vit kemi bërë dy seleksionime me elementët e kampionatit. Presim që në grumbullimet e ardhshme të vijnë edhe elementë nga jashtë për t’i parë nga afër në stërvitje dhe ndeshje.

Në këtë grumbullim kanë ardhur edhe lojtarë nga jashtë Shqipërie, nga Italia, Anglia e Spanja. Për turneun që kemi në Kroaci shpresoj të paraqitemi mirë.

Nga seleksionimet që kemi bërë kam parë që kemi elementë shumë cilësorë. Mendoj se do të jenë shtyllat e së ardhmes për kombëtaret e moshave, gjithmonë nisur nga performanca që kanë bërë deri më tani. Unë shpresoj që të ecin me këtë ritëm.

Duhet vetëm të punojnë, me kokën ulur duke qëndruar me këmbë në tokë çdo ditë. Shpresoj që të marrin një eksperiencë të mirë, do rriten nga ky aktivitet. Mendoj se edhe me kundërshtarët e grupit do të jenë rivalizues por t’ia lëmë fushës të gjitha.

Elementë të spikatur? Jam shumë i bindur se disa nga këto lojtarë do t’i shikojmë shpejt në ekipet më lart, deri në ekipin Kombëtar A. Të gjithë do të krenohemi me këto djem”.