Moshat Kuqezi

Shqipëria U-17/ Bulku për sfidat me Maqedoninë e Veriut: Na vlejnë për të kolauduar grupin para Europianit

Kombëtarja shqiptare e 17 vjeҫarëve ka filluar grumbullimin një javor në qytetin e Pogradecit në prag të dy ndeshjeve miqësore që do të luajnë me bashkëmoshatarët e tyre të Maqedonisë së Veriut. Në nisje të grumbullimit, për fshf.org, ka folur trajneri Ervin Bulku, i cili është shprehur se këto dy miqësore ndaj fqinjëve maqedonas do ti shërbejnë atij dhe skuadrës për tu kolauduar dhe nënvizon se do kërkojnë fitoret që skuadra të shkoj me moral të lartë në eliminatoret e muajit tetor.

“Janë dy miqësoret e fundit. Ky është grumbullimi i radhës një javor me skuadrën. Më duhet të them se është pothuajse grupi i njëjtë që kemi pasur në grumbullimet e fundit. Gjatë kësaj jave do të kemi të gjithë skuadrën në dispozicion, duke qënë se do të vijnë lojtarët që luajnë jashtë Shqipërie me mirëkuptimin e klubeve jashtë sepse nuk duhet të harrojmë se kanë filluar kampionatet e huaja dhe këto ditë stërvitje dhe ndeshje do të jenë shumë të vlefshme për kompeticionin që na pret në muajin tetor, që është edhe kompeticioni më i rëndësishëm.

Për atë kompeticion jemi duke u përgatitur gjatë kësaj periudhe, jo një vjeҫare, por dyvjeҫare, sepse ky grup lojtarësh ka më shumë se dy vjet që vëzhgohet, zhvillon turne miqësor, për të qënë sa më i gatshëm për atë kompeticion që presim tani në tetor. Grupi lojtarëve? Ky grup nuk ka dalë vetëm nga seleksionimet e grupmoshave U-16 dhe U-17, 90% e këtij grupi ka qenë pjesë edhe e grupmoshës U-15 që është përzgjedhur nga të gjithë stafet e ekipeve Kombëtare. Ky grup do ta përfaqësojë Shqipërinë gjithashtu në Kampionatin Europian”.

Trajneri kuqezinjve thekson se në kualifikuese skuadra do të ketë përballë skuadra të forta por skuadra e tij është duke punuar për të qënë gati. “Në këtë grumbullim pa diskutim që do të përqendrohemi për të punuar më shumë në ato pika që kemi vërejtur se nuk jemi aty ku duhet, duke mos harruar qe ky grup vjen pas fitimit të turneut UEFA Development që u zhvillua në Shqipëri. Kundërshtarët që do të kemi përballë në Europian si Suedia, Kroacia dhe Uellsi janë skuadra që kanë marrë pjesë vazhdimisht në Elite Round të kësaj grupmoshe dhe nuk është i njëjti nivel që ne jemi ballafaquar në këtë turne që ne fituam. Na ngelet shumë punë për të bërë dhe duhet të theksoj se këto dy ndeshje do të na vlejnë shumë për të parë defektet, ku duhet të punojmë më shumë dhe skuadra të jetë sa më e gatshme e të marri sa më shumë pikë si dhe të jetë dinjitoze në këtë përfaqësim të rëndësishëm ndërkombëtar.”

Shqipëria U-17 është shortuar në një grup me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin. Eliminatoret e këtij grupi do të zhvillohen me grumbullim me turneun që do të zhvillohet në Kroaci në datat 20,23 dhe 26 tetor 2022.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency