Janë mbyllur tre ndeshje të raundit të 30 të BKT Superligës së Kosovës dhe Ulpiana ka marrë barazimin 1-1 ndaj Ballkanit, duke shpresuar deri në fund për mbijetesën dhe në të njëjtën kohë ka shtyrë festën e miqve për titullin kampion. Golin për vendasit e realizoi Qerimi, teksa për Balkanin shënoi Korenica në minutën e 45+3’. Pas kësaj javë Ulpiana renditet në vend të nëntë me 25 pikë, teksa Ballkani kryeson me 64 pikë.
Drita ka fituar me përmbysje bindshëm më rezultatin 3-1 ndaj Malishevës. Golin për miqtë e ka realizuar Hyseni në minutën e 48’, teksa për Dritën kanë shënuar Ajzeraj në minutën e 60’, Namani në minutën e 76’ dhe Tahiri në minutën e 90+7’. Pas këtij takimi skuadra nga Gjilani qëndron në vend të dytë me 55 pikë, teksa skuadra e Malishevës renditet e gjashta me 37 pikë.
Llapi ka fituar në transfertë me rezultatin 0-2 ndaj Feronikelit, duke qëndruar ende në garë për një vend në garat e Europës. Golat për skuadrën nga Podujeva i realizuan Sadriu në minutën e 5’ dhe Alidemaj në minutën e 19’. Pas javës së 30-të Llapi renditet në vend të katërt me 50 pikë, teksa Feronikeli qëndron në vend të 10-të me 12 pikë.
