Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Shtyhet tri javë turneu Australian Open, shkak COVID-19

Pëgatiti: Alked Gjebrea

Turneu i parë i madh Slam i sezonit duhej të startonte më datën 18 janar, sipas kalendarit paraprak të hartuar nga organizatorët e këtij aktiviteti, megjithatë drejtuesit më të lartë të këtij kompeticioni vendosën për të shtyrë gjithçka me tri javë, për shkak të pandemisë së Koronavirusit. Në këtë mënyrë edicioni i 109-të i “Australian Open” do të zhvillohet në harkun e dy javëve në “Melbourne Park” nga 8 shkurti deri më datën 21, sidoqoftë të gjithë tenistët pjesëmarrës do të jenë të detyruar për t’iu nënshtruar masave të forta shtrënguese, që kanë përcaktuar autoritetet lokale.

Melbourne është kryeqyteti i Shtetit të Viktorias në jug-lindje të vendit dhe përfaqëson qytetin e dytë më të populluar në Australi dhe Oqeani pas Sidneit, kështu që autoritetet vendore kanë hartuar një protokoll të detajuar në lidhje me masat shtrënguese, që duhen zbatuar nga vizitorët e shumtë, përfshirë këtu edhe sportistët e ndryshëm. Në vend që të zhvillohej nga data 18 deri më 31 janar organizatorët e “Australian Open” kanë shtyrë gjithçka me tri javë për t’iu dhënë kohë tenistëve apo dhe pjestarëve të tjerë të grupit shoqërues për t’u izoluar në Melbourne sipas protokollit të hartuar që më parë.

Ndeshjet kualifikuese do të shtrihen në harkun e katër ditëve dhe do të zhvillohen jashtë Australisë. Për këto takime kualifikuese është përzgjedhur Katari në Lindjen e Mesme dhe ndeshjet janë programuar për të filluar më datën 10 janar. Më pas në datën 15 janar lojtarët e kualifikuar bashkë me tenistët e tjerë që hyjnë direkt në shortin e 128 sportistëve pjesëmarrës si për femra ashtu edhe për meshkuj do t’i nënshtrohen një regjimi të rreptë karantine prej 14 ditësh sipas rregullave të përcaktuara nga autoritetet vendore të Shtetit të Viktorias.

Lajmi u konfirmua nga vetë Federata ATP, në momentin e publikimit të kalendarit për shtatë javët e para të sezonit të ardhshëm. Edicioni i ri tenistik i vitit 2021 do të fillojë më datën 4 janar në Florida, në turneun e përvitshëm që zhvillohet në Delray Beach, ndërsa një ditë më vonë në anën tjetër të Atlantikut në Turqi do të startojë gjithashtu edhe turneu tjetër 250 i Antalias.

Më datën 31 janar do të nisin dy turne në Qytetin e Melbourne, njëri prejt të cilëve i përket aktivitetit të përvitshëm që organizohet në Adelaide, ndërkohë nga data 1 deri më 5 shkurt 12 skuadra përfaqësuese do të grumbullohen pikërisht në kryeqendrën e Viktorias për të zhvilluar ndeshjet e edicionit të dytë në ATP Cup.

Sipas Presidentit të Federatës ATP Andrea Gaudenzi ndeshjet kualifikuese u zhvendosën në Doha për meshkuj dhe në Dubai për femra pikërisht për të respektuar masat e marra nga Shteti i Viktorias, që këmbënguli për të mos lejuar më shumë se 1 000 persona gjithsej në edicionin e sivjetshëm të “Australian Open”.

Masat e forta shtrënguese u kundërshtuan ashpër, sidomos nga meshkujt, megjithatë bëhet fjalë për të njëjtin protokoll që zbatohet gjithashtu edhe nga nënshtetasit australianë, kur kthehen nga udhëtimet jashtë vendit. Gjatë periudhës 14-ditore të izolimit tenistët duhet të qëndrojnë të paktën për 19 orë në dhomat e tyre dhe atyre iu lejohet dalja vetëm për të shkuar në stërvitje, palestër apo për të frekuentuar restorantet e zonës.

Sipas rregullave të reja çdo sportist do të shoqërohet në “Melbourne Park” nga vetëm një person dhe në javën e parë të karantinës tenistët duhet të stërviten çdo ditë me po të njëjtin lojtar. Pas kësaj periudhe 2-javore, nëse tenistët rezultojnë negativë në të pestë testimet e kryera për virusin Covid – 19 atëherë ata do të jenë të lirë për të qëndruar ku të dëshirojnë dhe nuk do të ketë më kufizime.

Drejtuesit e Federatës ATP deklaruan gjithashtu se turnetë që fillojnë në mesin e muajit prill në fushat me dhe do të zhvillohen rregullisht sipas kalendarit të planifikuar, megjithëse për hir të së vërtetës pikëpyetje të mëdha ngrihen për turnetë Sunshine Masters, pra Indian Wells dhe Miami. Mastersi kalifornian nuk do të zhvillohet në muajin mars, ndërsa Mastersi në Florida mund të zhvendoset nga organizatorët në Lindjen e Mesme.

Te meshkujt kampioni në fuqi është Novak Djokovic që në “Melbourne Park” ka fituar plot 7 tituj gjatë dekadës së fundit, ndërsa te femrat në fillimin e muajit shkurt triumfoi tenistja nga Shtetet e Bashkuara me origjinë ruse Sofia Kenin, gjithsesi në këtë kategori rivaliteti në Australian Open është shumë më i madh, duke patur parasysh që përgjatë dekadës së fundit te femrat janë kurorëzuar plot tetë teniste të ndryshme.

Australia pozicionohet në Hemisferën e Jugut dhe javën e ardhshme ky vend do të hyjë në stinën e verës, sidoqoftë falë masave të forta shtrënguese Australia konsiderohet si një ndër shtetet që e ka përballuar më mirë situatën e pandemisë së koronavirusit, teksa pozicionohet në vendin e 98 në rruzull për nga numri i të infektuarve dhe deri tani kanë humbur jetën 908 persona në total, ndërsa në tre ditët e fundit janë prekur nga virusi Covid – 19 vetëm 32 persona gjithsej.

 

 

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Champions League

Borussia e Dortmundit në gjysmëfinale të Championsit. Skuadra gjermani bëri mrekullinë në ndeshjen e kthimit ndaj Atleticos së Madridit, të cilin e mposhti 4-2,...