Andres Iniesta do ta mbyllë karrierën si futbollist te Barcelona. Mesfushori spanjoll ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e klubit blaugrana dhe do të firmosë kontratën e re e cila do ta mbajë të lidhur me Barçën deri në fund të karrierës së tij. Marrin fund kështu dilemat mbi të ardhmen e kapitenit të Barcelonës i cili ka bërë një zgjedhje zemre duke vendosur të qëndrojë në Camp Nou edhe pse në muajt e fundit e ardhmja e Iniestës te Barcelonës ishte në dyshim me lojtarin që pëlqehej nga Juventusi dhe nga disa klube të tjera me peshë në Europë.
Lajmi për rinovimin e Iniestës u zyrtarizua nga vetë klubi i Barcelonës me një komunikatë në Twitter. “ Don Andres” sic njihet ndryshe mesfushori është pjesë e skuadrës së parë të Barçës që nga viti 2002, teksa deri tani numëron 639 paraqite dhe 55 gola të shënuar me blaugranat në të gjitha kompeticionet.
