Katër barazimet në duelet e Ligës A në Nations League. Anglia dhe Italia krijuan shumë raste, por asnjë nga lojtarët nuk ia doli të gjente rrugën e rrjetës në takimin e luajtur në “Molineux Stadium” (Wolverhampton).
Përfundimisht 0-0, rezultat që mban të kaltrit e Roberto Mancinit në krye të Grupit 3 më pesë pikë, një më shumë se Hungaria dhe dy mbi Gjermaninë. Këto dy kombëtare e mbyllën në barazim 1-1 sfidën e zhvilluar në “Puskas Arena” të Budapestit.
Takimi nisi i zjarrtë, Zsolt Nagy kaloi Hungarinë në avantazh (6’), por skuadra e Hansi Flick barazoi me anë të Jonas Hofmann (9’). Ky i fundit humbi një shans të artë për të shënuar golin e dytë në pjesën e dytë, teksa edhe vendasit iu afruan disa herë golit të avantazhit.
Holanda nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 përballë Polonisë. Skuadra polake kaloi në avantazh të dyfishtë me Matty Cash dhe Piotr Zielinski, por djemtë e Van Gaal evituan humbjen falë rrjetave të Davy Klaassen dhe Denzel Dumfries.
Memphis Depay kishte shansin të realizonte golin e fitores në minutën e parë shtesë, por penalltia e ekzekutuar nga sulmuesi i Barcelonës u ndal në shtyllë.
Pa fitues përfundoi edhe përballja tjetër e Grupit 4. Uellsi frenoi Belgjikën në një barazim 1-1. Youri Tielemans zhbllokoi ndeshjen (51’), por vendasit morën një pikë falë golit të Brennan Johnson tre minuta nga fundi.
Në Ligën B, Rumani mposhti 1-0 Finlandën, ndërkohë që derbi ballkanik Mali i Zi-Bosnje u mbyll 1-1. Në Ligën C, Turqia triumfoi 0-2 në Luksemburg.
