Babai i Novak Djokovic është paralajmëruar për sjelljen e tij në të ardhmen, pasi ka shkaktuar irritim në Australin Open, duke pozuar me një flamur rus me imazhin e Vladimir Putin në të. Zyrtarët e turneut u detyruan të lëshonin një deklaratë, pasi u shfaq një video në një kanal pro Rus në Youtube, ku pasqyrohen veprimet e papranueshme te Srdjan Djokovic.
Pak pasi tenisti serb arriti në gjysmëfinale të enjten mbrëma babai i tij u përzje me tifozët duke shfaqur mbështetjen e tyre për Rusinë. Policia dhe zyrtarët e turneut më pas bënë të ditur se 4 spektatorë ishin nxjerrë jashtë Melbourne Park. Rregullat e hyrjes në Australian Open ndalojnë flamujt në mbështetje të Rusisë ose Bjellorusisë.
Babai i Djokovic vitin e kaluar, ku i biri u deportua pasi ishte ndaluar sepse nuk ishte vaksinuar, akuzoi shtetin Australian se po vriste “shpërthimin” e djalit të tij. Vetë lojtari është përpjekur të evitojë polemikat pasi arriti në Australi këtë vit, duke u përpjekur të fokusohet në përpjekjet për titullin. Gjithsesi këtë të mërkurë ai u pa teksa firmoste një autograf për një person që mbante një bluzë me emblemë gërmën Z që është kthyer në logon e pushtuesve rusë në Ukrainë.
Diçka që sikletosi zyrtarët e Tennis Australia që bënë një paralajmërim të përgjithshëm në turneun ku janë lejuar edhe tenistët e vendeve agresore. Në të veç të tjerash shkruhej, “Një grup i vogël njerëzisht shpalosën flamuj dhe simbole të papërshtatshme duke kërcënuar personelin e sigurisë dhe u nxorën jashtë impiantit. Lojtarët dhe skuadrat e tyre janë informuar duke ju kujtuar politikat në lidhje me flamujt dhe simbolet për të evituar ndonjë situatë që mund të përshkallëzohet”.
Një fraksion i tifozëve serbë në Melbourne Park kanë qenë insistues për të demonstruar mbështetjen për Rusinë, pavarësisht kostove në humbjen e jetëve njerëzore që ka patur pushtimi i Ukrainës. Tentativat për ti ndaluar ata që të shfaqin mbështetjen për Putinin deri më tani kanë rezultuar të pasuksesshme.
Ambasadori i Ukrainës në Australi, Vasyl Myrochnychenko, shprehu neverinë e tij në lidhje me sjelljen e tyre duke u shprehur. “Kjo është e papranueshme, përkrah flamujve serbë, janë ata Rusë, Putin, simboli-Z dhe flamuri i të ashtuquajturës Republika e Donetskut, ky është një turp i vërtetë”, deklaroi ai.
