Vendi i Skënderbeut është në Europë. Korcarët përmbysën Mlada Boleslavin pas goditjeve të penalltive dhe 120 minutave dramatike duke siguruar një vend në play-off pas një ndeshje madhështore të “ujqërve” ku vendosi Orges Shehi, që nuk kërkoi t’i japë ende fund karrierës së tij duke shënuar një penallti e mbi të gjitha duke pritur një tjetër.
Një mbrëmje madhështore për skuadrën më të sukseshshme të historisë së Shqipërisë në Europë, që për të tretën herë e gjen veten të luajë në play-off duke kërkuar një tjetër kualifikim në grupet e Europa League. 90 minutat e rregullta përfunduan 2-1 ku golat e Lilajt dhe Plakut ashtu si ndaj Kairatit shkruan një tjetër faqe të lavdishme për bardhekuqtë përpara se fatin e kualifikimit ta merrte në dorë Shehi.
Në “Elbasan Arena” binte në sy prania e shumtë e tifozëve korcarë që besonin në një përmbysje të Skënderbeut. Fillimi ishte I mirë nga skuadra e Dajës që krijoi dhe rastin e parë në të 10-tën me Nimagën, por goditja e tij përfundoi jashtë. Në të 12-tën u nevojit një ndërhyrje e Shehit për të ruajtur bardhësinë e shifrave, por portieri i korcarëve nuk mundi të bënte asgjë 6 minuta më pas kur Janosh erdhi pas shpinës së Micit duke dërguar topin në rrjetë për golin e 0-1.
Nga ky moment Mlada pati më shumë qarkullim topi, ndërsa Skënderbeu provoi të dilte përpara me shpërthimet e Latifit që në të 43-tën pati mundësinë për të barazuar. Në pushim u vajt në disavantazh por prej aty skuadra e Dajës doli e karikuar. Që në të 50-të, korcarët pretenduan për një 11-metërsh por gjyqtari vazhdoi lojën, ndërsa 4 minuta më pas kryesori s’mund të mbyllte më sytë në ndërhyrjen ndaj Micit. Nga pika e bardhë u nis Lilaj që nuk gaboi duke cuar peshë tifozët.
Goli i dha zemër “ujqërve” që filluan të ngacmonin më tepër portën e cekëve që megjithatë rrezikuan në të 67-tën por Shehi ishte gati. Lëvizjet fituese për Dajën erdhën nga stoli, me Muzakën që hyri në fushë në të 74-trën e Plakun në të 80-tën. Pikërisht në këmbët e Muzakës u gatua goli që shkundi “Elbasan Arenën” me numrin 17-të që shërbeu për Plakun e goditjen e këtij të fundit që u devijua te Fleisman për të përfunduar në rrjetë.
Dyshja Muzaka-Plaku megjithatë nuk kishte përfunduar ende spektalin pasi në të 87-tën për pak sa nuk arritën te goli i 3-1. Gjithsesi për të arritur mrekullinë Skënderbeu kishte nevojë për një tjetër mrekulli, atë të minutës së 89-të kur topi u ndal në shtyll duke shpëtuar korcarët nga goli i eliminimit me ndeshjen që shkoi në shtesë. Skënderbeu nga ky moment nuk hoqi këmbën nga “gazi” me Plakun që pa t’i mohohej goli mbi vijën fatale, ndërsa në të 106-tën Latifi xhiroi sërish mbrojtësit cek por nuk gjeti vetëm për pak portën. 3 minuta më pas ishte Shkodra që provoi me armën e tij më të mirë, goditjet nga larg por Divis në vështirësi reagoi në dy kohë. Pavarësisht përpjekjeve të Skënderbeut rezulati nuk ndryshoi me fatin e kualifikimit që do të vendosej nga pika e bardhë, ku i pari u nis Shehi që tregoi se nuk kërkon t’i japë ende fund karrierës së tij. Latifi e Muzaka e pasuan me sukses, deri në castin kur Rada gaboi duke i dhënë një asist Lilës, që e shfrytëzoi më së miri përpara se Shehi të bënte një tjetër mrekulli duke pritur penalltinë e fundit e duke ndezur festën e korcarëve.
