Futboll

Skënderbeu heroik, Dinamo fiket në “Elbasan Arena”

Skëderbeu është i destinuar për të shkruajtur historinë e futbollit shqiptar teksa për të dytën herë vendos emrin në fazën e grupeve të Europa League në harkun e 3 sezoneve. Kësaj radhe kjo arritje vjen falë kalimit të 4 tureve në fushë, jo si dy sezone më parë ku përfitoi nga skema e re e Champions League pas eleminimit në Play Off. Fati e deshi që përballë të ishte Dinamo e Zagrebit, ashtu si dy vite më parë në fazën Play Off të championsit. Por kësaj radhe eksperienca nuk ishte më një armë në favor të kroatëve, të cilët në harkun e 180 minutave u eklipsuan nga Skënderbeu që meritoi në fushë këtë rezultat historik. Trajneri Daja konfirmon në formacion qendërmbrojtësin Bajram Jashanica që arrin të rikuperohet në kohë për të qënë në fushë. Dinamo krijon përshtypjen se do të jetë dominuese teksa shënon në minutën e 2 por më parë loja ishte ndalur për një faull jashtë zone. Në minutën e 5 është Latifi që teston portierin Livakovic me një goditje të rrezikshme nga distanca. Në minutën e 9 është Ali Soue që nuk e udhëheq si duhet topin për tu shfaqur pëballë portierit kundërshtar.

Kroatët shfaqen në sulm në minutën e 21 me një gjuajtje të pasaktë nga distanca të spanjollit Olmo. Luhet më shumë në mesfushë, ku frika për të mos gabuar është evidente tek të dyja skuadrat. Në të 27 Nimaga ndëshkohet me kartonin e parë të verdhë të mbrëmjes teksa në të 43 me një goditje dënimi Skënderbeu kërcënon portën e kroatëve, por gardiani i Dinamos është në lartësinë e duhur për të larguar një top të rrezikshëm. Korcarët provojnë ta mbyllin në sulm pjesën e parë, teksa Gavazaj hedh në zonë një top të rrezikshëm në minutën e fundit të këtij fraksioni. Në sekondat e fundit të shtesës është Latifi që fton Soue por sërish mbrojtja e Dinamos ndërhyn për të larguar një tjetër situatë të rrezikshme. Pjesa e dytë nis pa ndryshime, me trajnerët që i besojnë zgjedhjeve të minutës së parë.

Në të 50 një top i humbur në mesfushë sjell një aksion të rrjedhshëm për kroatët por finalizimi i Olmo sheh topin të ndalet nga Jashanica. Presioni i miqve vijon në rritje teksa është radha e Radas të ndalë një tjetër gjuajtje. Minuta e 53 dhe në pah del Orges Shehi me një pritje të jashtëzakonshme, e para në mbrëmjen e Elbasan Arenës. Në minutën e 58 është Soue që shfaqet rrezikshëm në zonë, por marja e topit nuk është nga më të mirat, duke sfumuar një mundësi të mirë. Megjithatë sulmuesi nga Gambia provon pak sekonda më vonë me një shpërthim personal në zonë por pa mundur të gjejë kuadratin e portës së Livakovic. Është momenti i Soue pasi në minutën e 65 i afrohet shumë golit, duke fituar një duel shpejtësie në topin e kthyer prapa, por gjuajtja e tij nuk ka forcën e duhur.

Nga porta e kroatëve loja spostohet me shpejtësi tek porta e Shehit, në një duel kapitenësh, me Sudanin që gjen vetëm rrjetën e jashtme. 2 minuta më vonë Sudani pretendon për një penallti por hungarezi Istvan Vad është i mendimit se ndërhyrja është e rregullt. Ilir Daja tregon se për të siguruar biletën e kualifikimit duhet sulmuar duke larguar nga fusha Enis Gavazaj për nigerianin James Adeni . 4 minuta më vonë Skënderbeu mer një goditje teksa Nimaga ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë pë një faull në emsfushë, duke lënë në inferioritet numerik skuadrën. Tensioni shtohet në fushën e lojës dhe kjo duket në minutën e 81 kur Osmani ndëshkohet me të verdhë për një faull ndaj Olmo, ndërsa Mici dhe Fernandes për ngacmimet midis tyre. Soue përpiqet të bëjë i vetëm repartin e sulmit duke mbajtur ekipin në sulm me duelet e fituara. Pak sekonda më vonë Daja largon sulmuesin e vetëm për të përforcuar mesfushën me aktivizimin e Bruno Ditës.

Në të 87 është Olmo që godet fluturimthi por fatmirësisht për Skënderbeun topi përfundon mbi traversën e Shehit. Korcarët kanë mësuar nga gabimet e ndeshjes së parë dhe nuk tërhiqen prapa por ushtrojnë pesion në mesfushë. Megjithatë superioriteti numerik i kroatëve ndjehet, pasi afrohen me lehtësi në afërsi të zonës së rreptësisë. 5 minutat shtesë duken një përjetësi me Shehin që ndal një gjuajtje në sekondat e para të tyre. Skënderbeu nuk shfrytëzon si duhet dy mundësi kudnërsulmi për të mbyllur llogaritë, por ajo që shkon në mendjen e korcarëve është vetëm të mbajnë sa më larg kudnërshtarin.

Në sekondat e fundit Hodzic hyn kërcënueshëm në zonë por rreziku largohet përkohësisht me kroatët që rikthehen në për të mbajtur në ankth të gjithë në stadium dhe përpara ekranit. Megjithatë një skuadër si Skënderbeu nuk mund ti lejojë vetes të gabojë si në ndeshjen e parë, duke mos i dhënë asnjë shans Dinamos. As 40 sekondat mbi shtesën nuk i mjaftojnë kroatëvepër të kaluar Skënderbeun që shkruan historinë duke prerë biletën për në fazën e grupeve të Europa League për të dytën herë, por kësaj radhe duke kaluar 4 ture në fushën e lojës dhe jo duke shfrytëzuar formulën e Champions League. Mbrëmjet europiane të Skënderbeut do të vijojnë përtej mbrëmjeve të nxehta të verës, edhe këtë herë në fazën e grupeve të Europa League.

To Top