Abissnet Superiore

Skënderbeu kampion dhe Lushnja në të Parën, fati duket i shkruar

Skënderbeu udhëton i qetë drejt titullit kampion dhe duket se tashmë janë dorëzuar edhe rivalët. Fitorja ndaj Partizanit, e shoqëruar me ndalesën e Flamurtarit, ka bërë që diferenca me vendin e dytë të jetë 13 pikë. Pavarësisht se ka ende javë për t’u luajtur, është një utopi të mendosh që titulli të ndryshojë drejtim, pasi duket që destinacioni është pikërisht Korça. Gjithashtu me llogari të mbyllura është edhe Lushnja, që dergjet në vendin e fundit të klasifikimit dhe vetëm një mrekulli mund t’i shpëtojë “myzeqarët”.

Nëse këto dy skuadra duket se kanë mësuar paraprakisht verdiktin e këtij sezoni, gjithçka është e hapur për pjesën tjetër të skuadrave, nga gara për zonën europiane te skuadra e dytë që do të shoqërojë Lushnjën drejt Kategorisë së Parë. Flamurtari me ndalesën në Durrës i dha një asist Kukësit, që u rikthye pranë vlonjatëve në renditje. Kuqezinjtë vijojnë të ruajnë vendin e dytë ndërkohë që janë skuadra rekord e barazimeve këtë edicion me 9 të tilla, duke ruajtur gjithashtu edhe statusin e mbrojtjes më të fortë me 12 gola të pësuar.

Ndërkohë Kukësi duket se po lë pas mallkimin e fushës, pasi suksesi ndaj Laçit në “Zeqir Ymeri” riktheu buzëqeshjen te kampionët, që regjistrojnë 3 fitore radhazi midis Kupës dhe kampionatit. Pa shumë bujë Kamza vijon të bëjë detyrat, pasi suksesi në Lushnjë i solli parakalimin në renditje ndaj Laçit. Vendi i dytë me vendin e 5-të kanë 6 pikë diferencë dhe gjithcka mbetet e hapur për zonën europiane, ndërsa Partizani dhe Luftëtari për momentin janë larg këtij objektivi, me skuadrat që janë eliminuar gjithashtu edhe nga Kupa. Shpresëdhënës mund të konsiderohet barazimi në shtëpi ndaj Flamurtarit për Teutën që ruan kontaktin me Vllazninë, edhe pse për momentin është skuadra më e rrezikuar për të shoqëruar Lushnjën drejt Kategorisë së Parë.

 

Eventet Sportive në SuperSport

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency