Skënderbeu bën një prej goditjeve më të mëdha të merkatos së verës. Mesfushori kosovar Suad Sahiti nënshkruan me klubin korçar duke nisur një eksperiencë të re në Kategorinë Superiore dhe në futbollin shqiptar. Pas 4 sezoneve në radhët e maqedonasve të Rabotniçkit, 22-vjeçari tashmë nis rrugëtimin me ekipin shqiptar dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Ilir Daja për ndeshjet e grupeve të Europa League. Lajmin e bën të ditur klubi bardhekuq në një komunikatë zyrtare duke theksuar se Sahiti ka firmosur një kontratë 3-vjeçare, duke shtuar se lojtari i është bashkuar menjëherë skuadrës në stërvitje. Sahiti ka kaluar 4 sezone si profesionist në radhët e Rabotniçkit. Sezonin e shkuar ai arriti kulmin në karriërën e tij me 7 gola të shënuar në kampionat ku u aktivizua 22 ndeshje. Ai ka shënuar një gol edhe në ndeshjen e raundit të parë të Europa League këtë sezon në fitoren 6-0 ndaj skuadrës nga San Marino, Tre Pene.
