Kategoria Superiore

Skuadrat e Superiores, pa sulmues në kompeticionet europiane

Përvoja europiane e klubeve shqiptare do të nisë zyrtarisht në muajin korrik. Sezoni në vendin tonë përqendrohet shumë tek objektivi Europë, jo vetëm për çështje prestigji, por më kryesorja për arkëtimet që vijnë nga UEFA, para të cilat për shumë klube shqiptare janë jetike, megjithatë kur vjen momenti për të luajtur në Europë, duket se jemi gjithmonë vonë.

4 klubet që do të luajnë në Champions dhe Europa League, pra Skënderbeu, gjithnjë nëse Kas-i pezullon vendimin e Uefa-s, Kukësi, Luftëtari dhe Laçi, janë momentalisht pa sulmues kryesor. Korçarët nuk kanë më Ali Sowe, që mbaroi periudhën e huazimit. Nënkampionët ende nuk e kanë zëvendësuar Sindrit Gurin, negociatat për të afruar lojtarë të aftë në repartin e avancuar po vijojnë, por aktualisht nuk ka asnjë zyrtarizim.

Reginaldo ishte golashënuesi më i mirë i Laçit, sot nuk është më pjesë e kurbinasve. Bardhezinjtë që do të nisin përgatitjet nën drejtimin e trajnerit të ri, Besnik Prenga, duhet me patjetër të gjejnë një element për të zëvendësuar futbollistin nga Mozambiku.

Luftëtari është kthyer në një sallë provimesh, ku po testohen futbollistë të rinj, por asnjë emër i njohur nuk ka dalë në skenë për bluzinjtë, të cilët kanë humbur Abazajn e Bregun dhe po i drejtohen pa sulm pjesëmarrjes historike në Europa League.

To Top