Statistika për të vënë duart në kokë janë ato që ka regjistruar skuadra e Ligës së Pestë (National League) në Angli, Dover. Këta të fundit e mbyllën kampionatin në vendin e fundit dhe nuk mund të ndodhte ndryshe duke qenë se regjistruan vetëm një fitore në 44 ndeshje ndërsa pësuan një “tufë” me gola, ekzaktësisht 101.
Problemet e shumta financiare që erdhën në periudhën e pandemisë si dhe një penalizim me -12 pikë nga Federata në këtë sezon pikërisht prej problemeve ekonomike, bënë që drejtuesit e Dovers të ishin të pashpresë teksa skuadra përbëhet nga lojtarë “part-time”, të cilët për të fituar një pagë të denjë detyrohen të bëjnë edhe një punë të dytë përveç profesionit të futbollistit.
Kështu, pas penalizimit me -12 pikë, falë dy fitoreve dhe shtatë barazimeve, Dover regjistroi vetëm një pikë efektive në kampionat, ndërsa ekipi doli nga fusha i mposhtur në 35 ndeshje. Interesant është fakti se në një moment të caktuar të sezonit, Dover mbushi 364 ditë pa fituar një ndeshje ndërsa në mënyrë surprizë, në janarin e kaluar fitoi një sfidë ndaj Eastleigh teksa në shkallët e stadiumit ishin vetëm 486 tifozë.
Këta të fundit, në mënyrë ironike shpalosën edhe një banderolë ku shkruhej; “Kemi parë Doverin të fitoj një ndeshje futbolli”. Megjithatë, kënaqësinë e fitores, Dover ia dhuroi edhe në mars ku triumfoi në transfertë me rezultatin 1-2 ndaj Boreham Wood, por gjithsesi fati i skuadrës ishte i vendosur ndërsa me siguri këto janë statistikat më negative të një klubi futbolli në botë. Në sezonin e ardhshëm, Dover do të luaj në një Ligë edhe më inferiore me besimin se situata financiare mund të përmirësohet dhe klubi të ringrihet sërish.