Espanyol-Rayo Vallecano u mbyll me fitoren e ekipit të Ivan Balliut. Skuadra e mbrojtësit të kombëtares shqiptare, i cili e nisi këtë sfidë nga minuta e parë, triumfoi në transfertë me rezultatin 0-2 ndaj ekipit të Keidi Bares, me këtë të fundit që e ndoqi përballjen nga stoli.
Një pjesë e parë shumë intensive dhe e luftuar nga të dyja skuadrat, të cilat e detyruan ta mbyllnin atë fraksion me nga 10 lojtarë secila. Në minutën e 16’ Lejeune la fushën e lojës, pasi mori kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Rayo Vallecanon në inferioritet.
Megjithatë kjo situatë zgjati vetëm 14 minuta, për shkak se në minutën e 30’ Gomez mori karton të kuq dhe në atë moment të dy ekipet “barazuan” numrin e lojtarëve në fushë. Ky fraksion u mbyll me avantazhin e miqve, pasi në minutën e 40’ Palazon gjeti rrugën drejt rrjetës.
Ndërsa në pjesën e dytë miqtë do të tregoheshin edhe më kërkues dhe në minutën e 59’ Ciss shënoi golin e dytë për ekipin e tij dhe njëkohësisht edhe vulosi rezultatin e kësaj sfide.