Connect with us

Hi, what are you looking for?

Premier League

Sot 17:00 luhet Man.City-Chelsea, Citiziens për të prekur titullin, blutë për të mos humbur trenin Champions

Sezonin e kaluar për herë të parë në gjithë historinë e tij si trajner Pep Guardiola u mund dy herë në kampionat brenda të njëjtit edicion nga i njëjti ekip. Më pas vazhdimi dihet, Chelsea marshoi i sigurtë deri në fund, për të siguruar titullin e gjashtë në historinë e klubit, ndërsa City i Guardiolës dështoi për t’u renditur qoftë edhe në vendin e dytë në kampionat. Diçka e tillë ndodhi pra pikërisht sezonin 2016-17, teksa strategu katalanas e pësoi nga Antonio Conte, që e fitoi trofeun në Premiership që në vitin e tij të debutimit, madje me plot 15 pikë diferencë kundrejt City-t, por këtë herë java e 29-të në Angli ofron pikërisht duelin Manchester City – Chelsea dhe me sa duket është radha e Pep Guardiolës jo vetëm për të marrë hak, por gjithashtu edhe për t’i shkaktuar 48-vjecarit puljez dy humbje brenda të njëjtit edicion të kampionatit, gjë deri më sot e ka arritur vetëm Delio Rossi me Sampdorian kur Conte ishte në timonin e “zonjës së vjetër”. Të dy janë moshatarë pothuajse, por natyrisht 47-vjecari nga Santpedori ka një karrierë shumë më të ndritur. Të dy përfaqësojnë pikërisht klubet që kanë ndryshuar ekuilibrat në Premiership, për më tepër duke i dhënë fund hegjemonisë së një klubi si Manchester United, që ka fituar 5 nga 13 sezonet e fundit të kampionatit anglez. Është fakt që “Djajtë e Kuq” kanë klubin absolutisht më të pasur në planet, megjithatë që kur ka vënë këmbë Roman Abramovich në Premier League gjërat kanë ndryshuar dhe janë pikërisht këto dy skuadra që kanë fituar më shumë se gjysmën e kampionateve të zhvilluar, Chelsea 5 dhe City 2. Të dy klubet gjatë kësaj periudhe me radhë kanë ngritur ndjeshëm stekën duke shpenzuar shuma marramendëse. Lojën e hapi Roman Abramovich dhe më pas për vazhdimin mendoi Khaldoon Al Mubarak, sidoqoftë ndonëse bëhet fjalë për ekipin më të shtrenjtë në gjithë historinë e futbollit këtë herë mund të thuhet me plot gojën se deri tani ia ka vlejtur cdo “penny” i harxhuar nga Pep Guardiola. City-t i nevojiten praktikisht vetëm 5 fitore për të koleksionuar titullin e pestë në historinë e klubit, trofe që do t’i shtohet shumë shpejt edhe Kupës së Ligës, të cilën “sky blues” e siguruan pikërisht të dielën e kaluar. 75 pikë pas 28 ndeshjeve kampionat përbëjnë padyshim jë rekord në gjithë historinë e Premier League-s apo dhe formatit të dikurshëm First Division, ndërsa për të gjetur një ekip që gjatë kësaj periudhe ka shënuar më tepër gola duhet që të kthehemi plot 55 vjet prapa, në sezonin 1962-63 kur Tottenham Hotspur realizonte më shumë. Është e habitshme sa shumë ndryshojnë gjërat në këtë sport, sepse edicionin e kaluar pas disfatës 3-0 në derbin me Arsenalin Antonio Conte preferoi të ndryshojë modulin e lojës, për të regjistruar plot 13 fitore radhazi, ndërsa këtë herë në ecurinë e bluve të Londrës natyrisht kanë influencuar luhatjet e shumta, kalendari i ngjeshur për shkak të ecurisë në kupat e ndryshme si dhe karakteri i vetë trajnerit italian, që nga java në javë po flirton me sindromën e zakonshme të futbollit modern, shkarkimin. Chelsea viziton për herë të dytë në harkun e vetëm tetë ditëve Manchester-in, ku të dielën e kaluar ekipi londinez ndonëse luajti si i barabartë për pjesën më të madhe të kohës përsëri u mund me shifrat 2-1 nga “djajtë e kuq”, gjithsesi nëse përsëritet i njëjti rezultat atëherë për blutë do të bëhej fjalë për humbjen e katërt rresht larg Stamford Bridge-t, në të gjithë kompeticionet, ecuri që nuk regjistrohej prej plot 14 vjetësh. Është e kuptueshme që fati i Conte-s varet nga rezultati i ndeshjes së kthimit në Camp Nou në Champions me Barcën, megjithatë takimi i orës 17:00 në Etihad mund të ndryshojë situatën dhe të rikthejë moralin te skuadra londineze, që në këtë sezon ka shënuar më shumë gola jashtë fushe sesa në Stamford Bridge, për më tepër Chelsea përfaqëson kundërshtarin më të vështirë për “sky blues” që kur është themeluar Premier League, pasi që nga viti 1992 “blutë” janë pikërisht ekipi që i kanë shkaktuar më shumë humbje City-t, plot 24.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...