Edhe pse e gjithë vëmendja është te dueli mes Shqipërisë dhe Italisë që do të luhet në “Loro Boriçi”, mbrëmjen e sotme janë në program edhe 8 sfida të tjera kualifikuese në zonën europiane, për Botëororin Rusi 2018. Në grupin G, përvec takimit mes kuqezinjëve dhe të kaltërve, luhen edhe dy ndeshje të tjera. Spanja tashmë e kualifikuar edhe pse me shumë mungesa do të synojë t’u bëjë një mbyllje sa më të mirë këtyre elimintoreve pasi do të sfidojë Izraelin në transfertë. Maqedonia do të kërkojë ta mbyllë me një fitore pasi ka një sfidë të lehtë në letër, me Lihtenshtejnin në shtëpi.
Vëmendje të veçantë ka edhe grupi I aty ku Islanda pret Kosovën për të siguruar një kualifikim historik në Botëror, ndërkohë një sfidë zjarri luhet në Kiev me Ukrainën që pret Kroacinë. Në lojë është play-off por barazimi mund të mos u mjaftojë ballkanasve të cilët paraqiten në këtë sfidë me trajnerin e ri Zlatko Dalic në stol. Kroacia me një barazim ruan vendin e dytë pasi ka goleavarazh më të mirë se ukrainasit por në rast se merr vetëm një pikë mund të pozicionohet edhe si e dyta më e dobët e të gjitha grupeve dhe mund të mbetet jashtë fazës play-off. Kështu që barazimi nuk i vlen asnjërës dhe të dyja kombëtaret do të luajnë për fitore. Ndeshja tjetër e këtij grupi mes Finlandës dhe Turqisë luhet thjeshtë për statistika.
Sfida shumë interesante luhen edhe në grupin D. Serbia ka nevojë për një fitore ndaj Gjeorgjisë për tu kualifikuar direkt në Rusi 2018, ndërsa në përballjen mes Uellsit dhe Republikës së Irlandës do të zgjidhet edhe çështja e vendit të dytë, pa harruar që një gabim i Serbisë në shtëpi, në rast fitoreje Uellsi dhe Irlanda mund t”i rrëmbenin vendin e parë ballkanasve. Sfida tjetër Moldavi-Austri luhet sa për të plotësuar kalendarin e ndeshjeve të fundit në grupin D.
