Premier League

Sot në 13:30 derbi i Anglisë, Man.United-Liverpool, luhet për krenari dhe vendin e 2-të

Në Premier League gjithçka është gati për përballjen e 200 në histori ndërmjet dy klubeve më të lavdishëm Manchester United dhe Liverpool. Edhe këtë sezon ashtu si edhe në vitet e fundit “Derbi i Anglisë” luhet për krenari, pasi titulli mund të konsiderohet si pronë e City-t të Guardiolës, gjithsesi si zakonisht bëhet fjalë për një duel emocionues, që përball dy qytete në veriperëndim të vendit, që ndahen nga vetëm 56 km. Këtë duel tepër të ashpër e bën të veçantë vetë politika, muzika, futbolli por mbi të gjitha kanali i Manchester-it, prej nga ku lindi një armiqësi historike që është ruajtur e gjallë pikërisht në sportin më të dashur në ishull. Në vendin ku u shpik futbolli të dy klubet pretendojnë me forcë superioritetin e tyre, me United që kryeson 20-18 përsa i përket kampionateve, ndërsa Liverpuli në anën tjetër krenohet me lavdinë në kompeticionin më të rëndësishëm evropian, ku të kuqtë udhëheqin 5-3. E pra të martën në mbrëmje pikërisht në Champions “djajtë e kuq” sfidojnë skuadrën e Seviljes pas barazimit 0-0 në Andaluzi, por vëmendja është e gjitha te kjo ndeshje, ku natyrisht Jose Mourinho këtë herë pritet të luajë shumë më ndryshe, krahasuar me ndeshjet e mëparshme, ku strategu portugez është kritikuar pa fund për taktikat e tij tepër mbrojtëse.

Është e sigurtë që United luan gjithë sezonin në harkun e vetëm një jave, sepse pas Liverpoolit në Premiership dhe Seviljes në Champions “red devils” do të përballen edhe me Brajtonin në FA Cup. Për fatin e mirë të trajnerit luzitan këto tre ndeshje do të luhen në Teatrin e Ëndrrave, ku për hir të së vërtetës Manchester United në kampionat është thyer në dy sezonet e fundit vetëm nga City i Guardiolës. Në kampionat ky është dueli i 170 dhe tre ndeshjet e fundit të mbyllura në barazim i kanë lënë të pandryshuara statistikat, teksa vendasit kryesojnë 67-55, gjithsesi në Old Trafford United në këtë edicion ka pësuar vetëm 6 gola gjithsej dhe skuadra do të zbresë në fushë me moral të lartë, pas dy përmbysjeve heroike fillimisht me Chelsea-n e më pas me Crystal Palace në Selhurst Park, që konsiderohet edhe si një ndër stadiumet më të zhurmshëm në Angli. I frymëzuar nga atmosfera e krijuar në stadiumin londinez Mourinho ka kërkuar më shumë decibel në “Teatrin e Ëndrrave”, impiant ku në fakt “Red Devils” kanë fituar 8 nga 11 përballjet e fundit në të gjithë kompeticionet. Në Old Trafford megjithatë bëhet gati për të zbritur pikërisht sulmi më i mirë jashtë fushe dhe vendasit janë në ankth për të frenuar Mohamed Salah, që në Premier League ka shënuar 24 gola, po aq sa edhe Harry Kane.

Është një sfidë personale edhe ndërmjet dy trajnerëve, pasi Jurgen Klopp i ka mposhtur që të gjithë kundësrhtarët në Premiership, me përjashtim vetëm të “djajve të kuq”. Sulmi asfiksues i trajnerit gjerman ka prodhuar vetëm një gol gjithsej kundër Manchester-it, madje “the reds” mezi kanë gjetur kuadratin në përballjet ndërmjet tyre. Mourinho deri tani ka triumfuar në aspektin taktik, duke mos e lënë Liverpoolin për të dalë në lojën e zakonshme, sidoqoftë në Merseyside trajneri portugez urrehet gjithashtu edhe për 27 prillin e vitit 2014, kur me një formacion të ndërtuar nga lojtarët rezervë brenda në Anfield i hoqi titullin Liverpoolit, që asokohe drejtohej nga nxënësi i tij Brendan Rodgers, ndeshje që mbahet mend për rrëshqitjen e famshme të kapitenit Steven Gerrard në mesin e fushës, falë së cilës shënoi sulmuesi i bluve Demba Ba. Me 25 pikë në 10 ndeshjet e fundit klubi nga Merseyside përfaqëson ekipin më në formë të kampionatit, pra është e kuptueshme që në rast fitoreje Liverpuli do t’i rrëmbente “Djajve të Kuq” vendin e dytë në klasifikim, sidoqoftë takimi do të luhet në orën 13:30 dhe kurioz është fakti që ndeshja i është besuar arbitrit Craig Pawson, që ka qenë gjyqtar i katërt në humbjen e famshme 5-0 të Liverpulit në shtator në Etihad, takim që shënon padyshim edhe disfatën më të rëndë të trajnerit gjerman në ishull.

To Top