Futboll

Spanja e Luis Enriques, e bukur dhe “bishë”

Fillimi i aventurës së Luis Enriques me kombëtaren spanjolle ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. 3 ndeshje, 3 fitore, 12 gola të shënuar e 2 të pësuar. Një mesatare prej 4 golash për ndeshje, ndërkohë që ish-tranjeri i Barcelonës ka ditur të shfrytëzojë më së miri aftësitë e të gjithë lojtarëve që ka në dispozicion, duke përfshirë këtu edhe ata që nuk konsiderohen titullarë fiks.

Në takimin miqësor përballë Uellsit, Enrique vendosi të hedhë në fushë futbollistë që po shkëlqejnë me klubet respektive, si për shembull Paco Alcacer me Dortmundin e Suso me Milanin. Ishin pikërisht këta dy futbollistë të cilët mund të konsiderohen si më të mirët e takimit. Paco shënoi 2 gola, ndërsa Suso dhuroi 2 asiste, me sfidën që u mbyll 1-4 në favor të iberikëve.

Gola, spektakël e dominim. Spanja e Enriques nuk lë vend për polemika, duke bindur në çdo ndeshje të luajtur. Kundërshtarja e ardhshme për ta do të jetë Anglia, të cilën e mundën një muaj më parë 1-2 në Wembley. Një takim jo i lehtë, si në letër ashtu dhe në fushë, por do të jetë gjithashtu prova e radhës për konsolidimin e skuadrës. Një Spanjë që dalëngadalë po fillon të ëndërrojë, njësoj si disa vite më parë, për “pushtimin” e futbollit evropian e botëror.

To Top