Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Starton sot java e 32-të, Vllaznia e Laçi “të dënuara” të marrin tre pikët

Kategoria Superiore do të rikthehet pasditen e sotme me dy nga 5 ndeshjet e javës së 32-të, ku Laçi do të presë Flamurtarin e rënë tashmë në Kategorinë e Parë dhe Vllaznia do të udhëtojë drejt Gjirokastrës për t’u përballur me Luftëtarin, një tjetër skuadër që i ka dhënë lamtumirën ligës më të rëndësishme në vend.

Në Laç, kurbinasit e kanë detyrim fitoren përballë Flamurtarit, pasi duan një vend në Kupat e Europës dhe humbja një javë më parë në transfertë ndaj partizanit, ua ka komplikuar disi pozitat, ndonëse vijojnë të jenë në vendin e katërt.

Bardhezinjtë e drejtuar nga Armando Cungu po kalojnë një moment mjaft të mirë dhe gëzojnë një formë fizike për t’u admiruar, ndërsa për ndeshjet e fundit tekniku shkodran ka në dispozicion edhe bomberin e ekipit, Kiryan Nwabueze.

Nga ana tjetër vlonjatët kanë mbyllur të gjitha llogaritë dhe luajnë për të respektuar kampionatin, por në javën e kaluar dhanë shenja të mira, pasi mposhtën me rezultatin e thellë 6-1 Luftëtarin dhe sot do të provojnë t’ia bëjnë të vështirë edhe Laçit.

E njëjta tablo paraqitet edhe në Gjirokastër, ku Luftëtari përveçse ka rënë tashmë në Kategorinë e Parë, ka në organikë një numër shumë të madh lojtarësh të rinj e pa eksperiencë, ndaj jo më kot ka pësuar plot 26 gola në 5 ndeshjet e fundit.

Përballë tyre do të jetë Vllaznia, që gjithashtu nuk është në një situatë të mirë dhe pozicionohet në vendin e tetë, që përkthehet në Play Off për të siguruar mbijetesën në Kategorinë Superiore.

Pikërisht për këtë arsye shkodranët do të kërkojnë maksimumin në transfertën e sotme, për të provuar t’i largohen vendit të tetë, duke përfituar ndoshta edhe nga fakti që skuadrat që ka para vetes në renditje, Bylisi e Partizani do të përballen me njëra-tjetrën.

Të dy takimet do të startojnë në orën 17:45 në Supersport, ndërsa më herët, në orën 17:00 do të mund të ndiqni edhe emisionin “Gol pas Goli” për t’u njohur me të rejat më të fundit para ndeshjeve dhe intervistat e protagonistëve pas tyre.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...