Protagonist i padiskutueshëm në një sukses të jashtëzakonshëm. Nëse Lazio, që mund Juventusin, përbën një sensacion në Itali dhe kudo në botë, për ne shqiptarët padyshim motivi i krenarisë është Thomas Strakosha, vetëm 22 vjec e nis këtë sezon si portieri i parë i Lazio-s dhe Thomasi është nga ata që nuk di të zhgënjejnë, hyrje me personalitet e karakter në fushë, menjëherë deciziv në një ndërhyrje kryevepër ndaj Cuadrados që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e lojës që në minutën e katërt, Tomas është vërtet i denjë për mbiemrin që mban mbi shpinë, gjithmonë gati për t’iu përgjigjur cdo sfide, gjithmonë në lartësinë e duhur.
Nga mediat italiane sot vlerësohet si një ndër më të mirët në fushë, por mos kujtoni se ka qenë e lehtë, 5 vjet më parë bardhekaltërit e blinin për më pak se 100 mijë Euro, ishte thjesht një i ri premtues si shumë të tjerë, sot vlera e tij është të paktën 50 fish më e lartë dhe jemi ende në hapat e parë të një karriere të ndritur. Një vit më parë kur Berisha linte Lazion i bezdisur nga hija e Marchetit, Thomasi pranonte me kënaqësi sfidën si portier i dytë. I mjaftonte një debutim ndaj Milanit për t’i dhënë të gjithë të kuptonte se kush ishte dhe që atëherë duke shfrytëzuar cdo shans që i jepej grumbulloi prezencat në Serinë a deri sa te Lazio ta blindonin me një kontratë deri në 2019 duke i dhënë dhe statusin e portierit të parë, sot Marcheti ka pranuar të bëjë zëvendësuesin e tij dhe kjo është një nga ato fitore personale të denja për skenar.
Ka ditur t’i ngjisë shkallët një e nga një, kur të gjithë binin në dashuri me të, Strakoshës nuk i lejohej të binte në dashuri me veten, padyshim që i ati Foto i madh ja përsërit shpesh dicka të tillë, e ndërsa ka parë të birin të ngrinte Superkupën e Italisë me Lazion ndoshta do të ketë kujtuar kur vetë luante me Panionions kundër të njëjtës skuadër dhe as mund ta imagjinonte këtë moment. Nuancat që lidhin Shqipërinë me Lazion në fakt nuk mungojnë, Igli Tare është projektuesi i gjithckaje aty, ndërsa Lorik Cana në 2013 fitonte me të njëjtën fanellë Kupën e Italisë, në një finale kundër Romës, ndoshta është një ekip që si stema që mban në fanellë i përshtatet shqiponjave. Strakosha në të parën e tij me statusin e titullarit tregoi se është nga ato shqipe që sapo e ka nisur fluturimin.
