Struga në “play-off” të Conference League. Për herë të parë në histori. Skuadra shqiptare, që sezonin e fundit fitoi titullin e parë kampion në Maqedoninë e Veriut, zhvilloi një ndeshje heroike në Luksemburg.
2-1 përfundoi dueli i dytë përballë Hesperange, me djemtë e Shpëtim Duros që festuan kualifikimin falë suksesit 3-1 në Shkup. Struga luajti me dhjetë lojtarë që pas daljes me të kuq të Marjan Radeskit në minutën e 15’.
Gjithsesi, Besart Ibraimi shënoi një gol të bukur me kokë dy minuta më vonë. Goleadori 36-vjeçar kishte një tjetër mundësi të artë në fraksionin e parë, njësoj si Bunjamin Shabani. Ndërkohë që vendasit u ndalën nga shtylla.
Pjesa e dytë foli për Hesperange, që u përball me një super Vedran Kjosevski. Portieri boshnjak i Strugës kreu disa pritje fantastike, teksa u dorëzua te goditja potente e brazilianit Gustavo (70’).
Vendasit gjetën edhe golin e avantazhit në minutën e katërt shtesë. Me moldavin Lado Akhalaia. Në fund pati festë strugane, me “armatën” e Shpëtim Duros që do të sfidojë islandezët e Breidablik për një biletë në fazën e grupeve.
Me kualifikimin e sotëm, klubi shqiptar i Maqedonisë së Veriut ka arkëtuar deri në këtë fazë plot 1.4 mln euro.
Conference League
Raundi i tretë (1-3)
HESPERANGE-STRUGA 2-1 (Gustavo 70′, Akhalaia 90+4′ / Ibraimi 17′)
Kronika e ndeshjes:
100′ Karton i kuq për francezin Nouvier. Edhe vendasit e mbyllin me dhjetë futbollistë.
90+8′ Drithërima te porta e Strugës. Goditja me kokë e Akhalaia përfundon jashtë.
90+4′ Hesperange në avantazh falë golit të moldavit Lado Akhalaia.
86′ Ibraimi del i vetëm përballë portierit kundërshtar, por nuk ia del të rikthejë Strugën në avantazh.
70′ Hesperange barazon rezultatin. Gjuajtja e fortë e brazilianit Gustavo përfundon në rrjetë.
62′ Provon përsëri marokeni Alioui, Kjosevski në gatishmëri.
61′ Gjuan me kokë Rachid Alioui, Kjosevski e devijon në goditje këndi.
57′ Tjetër pritje e Kjosevskit, i cili reagon mirë ndaj gjuajtjes së Simao Martines. Portieri 28-vjeçar po arrin të mbajë të paprekur portën e Strugës.
52′ Sërish Kjosevski i pakalueshëm. Portieri i Strugës devijon në këndore goditjen me kokë të Jaime Daniel Melao Simoes.
52′ Hesperange në kërkim të barazimit. Gjuan Dominik Stolz, grushton portieri Kjosevski.
49′ Vendasit në sulm, por ganezi Paul Ayongo ndalet nga portieri i Strugës. Evitohet rreziku më pas nga mbrojtja.
47′ Paul Ayongo gjuan me kokë, topi përfundon jashtë.
44′ Hesperange pranë barazimit. Për fat të mirë, Bryan Nouvier del huq.
33′ Shans i artë për Strugën. Bunjamin Shabani marshon i vetëm drejt portës kundërshtare, por nuk arrin të shënojë.
30′ Vendasit insistojnë në krahun e majtë, shtylla shpëton Strugën nga pësimi i golit.
22′ Kundërsulm i shpejtë i Strugës. Besart Ibraim i driblon të gjithë, francezi Clement Couturier i mohon golin e dytë bomberit shqiptar. Duke devijuar me kokë në këndore.
17′ Goooooooool! Krosim i Vangjel Zguros nga e majta, Besart Ibraimi shënon me kokë. Struga në avantazh.
15′ Struga mbetet me 10 lojtarë. Arbitri maltez i tregon të kuqin sulmuesit Marjan Radeski.
11′ Mundësi e mirë për Hesperangen, por Dominik Stolz godet lehtë. Pret pa probleme Kjosevski.
10′ Tenton Dejvid Sinani për vendasit, pret Vedran Kjosevski.
Struga është gati për sfidën e kthimit ndaj Hesperange . Kampionët e Maqedonisë së Veriut përballen me skuadrën nga Luksemburgu në transfertë, ndeshje që do të transmetohet live në SuperSport 2 (20:00).
Skuadra e Shpëtim Duros fitoi 3-1 takimin e parë, rezultat që e afron me kualifikimin në “play-off” të Conference League. Tekniku nga Tirana ka konfirmuar titullarët e duelit të luajtur në Shkup.
Lexo edhe:
Mes shtyllave Vedran Kjosevski. Treshja e mbrojtjes formohet nga Mexhit Neziri, Sava Radic dhe Besart Krivanjeva. Në mesfushë Bunjami Shabani dhe Besmir Bojku në qendër.
Dhe Edis Maliki dhe Vangjel Zguro nga krahët. Mentor Mazrekaj në rolin e mesfushorit të avancuar, do të jetë furnizuesi i dy sulmuesve Besart Ibraimi dhe Marjan Radeski.

