Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Super Bowl, Tampa Bay Buccaneers-Kansas City Chiefs, finalja e 10-të për Tom Brady-n

DENVER, CO - SEPTEMBER 27 : Tampa Bay Buccaneers QB Tom Brady (12) controls the ball against Denver Broncos defense in the 3rd quarter of the game at Empower Field at Mile High in Denver, Colorado on Sunday. September 27, 2020. Tampa Bay won 28-10. (Photo by Hyoung Chang/The Denver Post)

Të hënën  në mëngjes do të mësohet emri i ekipit fitues të Super Bowl-it të 55-të në histori dhe këtë herë të drejtën për të ngritur lart trofeun Vince Lombardi e kanë merituar franchise-t e Tampa Bay Buccaneers dhe Kansas City Chiefs. Ekipi nga Missouri bashkë me quarterbackun Patrick Mahomes priteshin pak a shumë që të ishin deri këtu, duke patur parasysh që formacioni i drejtuar nga trajneri veteran Andy Reid paraqitet në një takim të tillë me statusin e kampionit në fuqi, ndërsa surpriza e madhe vjen nga franchise nga Florida, që mori përpara në fazën e play off-it me radhë Washington-in, New Orleans Saints si dhe Green Bay Packers, për më tepër duke i fituar që të tri këto takime në post season jashtë fushe.

Një sezon i gjatë dhe tepër i vështirë, por mbi të gjitha krejtësisht i pazakontë për shkak të pandemisë së koronavirusit, sidoqoftë në mbyllje fundi është pak a shumë i njëjtë dhe në finale shfaqet plot madhështi sërish figura e Tom Brady-t, quarterback-ut absolutisht më të suksesshëm në historinë e futbollit amerikan.

43-vjeçari kalifornian krenohet me 6 tituj të fituar në dy dekada me trajnerin legjendar Bill Belichick dhe ekipin nga Massachusetts New England Patriots, megjithatë tani numri 12 ka rastin për t’u bërë quarterback-u i dytë në histori që ia del mbanë për të fituar trofeun Vince Lombardi me dy skuadra të ndryshme. Veterani nga San Mateo e ka kaluar tashmë idhullin e tij të fëmijërisë Joe Montana, që ka fituar 4 herë titullin me San Francisco 49ers dhe shkoi vetëm një ndeshje larg Super Bowl-it, teksa në vitin 1994 u mund në finalen e American Football Conference nga Buffalo Bills, ndërsa i vetmi që ka arritur të fitojë trofeun më të lakmuar në NFL me dy skuadra të ndryshme është Peyton Manning, që ka triumfuar me Indianapolis Colts dhe Denver Broncos.

Kjo është finalja e dhjetë e sezonit për Tom Brady-n dhe vjen në një kohë kur për shumë vetë 43-vjeçari ishte në ditët e tij të fundit të karrierës. E pra quarterback-u veteran përmbysi çdo lloj parashikimi të mundshëm, duke u rikthyer në mënyrë të pabesueshme në Super Bowl pas vetëm dy vjetësh. Më 3 shkurt të vitit 2019 Brady udhëhoqi Patriots drejt fitores 13-3 ndaj Los Angeles Rams në Mercedes-Benz Stadium, në Qytetin e Atlantës në Georgia, gjithsesi 13 muaj më vonë ai firmosi me familjen Glazer te Buccaneers një kontratë 2-vjeçare me vlerën e 50 milionë dollarëve.

Brady u prit plot nderime e madhështi në radhët e franchise-t nga Florida dhe Wide receiver-i Chris Godwin i lëshoi menjëherë numrin 12. Historia dihet, ai thirri pa humbur kohë mikun e tij, tight end-in e famshëm Rob Gronkowski që ishte tërhequr nga futbolli amerikan dhe po merrej me ërestling në WWE si dhe shokun tjetër, Wide receiver-in problematik Antonio Brown, që u bë gati për të varur këpucët në gozhdë që një vit e gjysmë më parë dhe u bashkua me trajnerin Bruce Arians, që më parë pati punuar me të si koordinator i sulmit te Pittsburgh Steelers.

Nga bilanci negativ 7 fitore e 9 humbje Buccaneers e mbyllën sezonin e rregullt të edicionit tjetër me 11 fitore në 16 sfidat në regular season, duke u renditur të dytët në Divizionin e Jugut, në National Football Conference. Në NFC pra falë vendit të pestë ekipi me bazë në Tampa fitoi të drejtën për të luajtur në “Wild card game”, ndërsa më pas Brady mundi rivalin e tij të vjetër Drew Brees brenda në Luizianë, për t’u paraqitur për herë të 14 në karrierë në një finale konference.

Sa për statistikë quarterback-u tjetër që vjen menjëherë pas tij në këtë renditje të veçantë është Joe Montana, me vetëm 7 ndeshje të tilla. Vetë Tampa Bay si franchise u ble nga vëllezërit Glazer në vitin 1995, ndërsa një dekadë më pas kjo familje bleu edhe Manchester United, për ta shndërruar deri në klubin më të shtrenjtë në glob. Buccaneers fituan për rrjedhojë në vitin 2003 Super Bowl-in numër 37, duke mposhtur 48-21 Oakland Raiders në San Diego. Që nga ajo kohë deri sa mbërriti Brady Tampa Bay nuk fitoi më asnjë ndeshje në fazën e play off-it, madje Buccaneers kishin që nga viti 2007 pa shkuar në post season.

Pra Tom Brady guxoi për të lënë franchise-n më të lavdishëm në epokën moderne të futbollit amerikan, për t’u transferuar në radhët e një prej skuadrave më pak të suksesshme në historinë e NFL. Me formën aktuale Brady mund të luajë fare mirë deri në moshën 45-vjecare, pasi quarterback-u kalifornian është përshtatur në perfeksion me Wide receiver të tillë si Antonio Broën, Mike Evans apo Chris Godwin, ndërsa reparti difensiv ia ka dalë për të ndërtuar mbrojtjen e duhur, duke e ruajtur më së miri Brady-n edhe në situatat më të vështira.

 

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Champions League

Borussia e Dortmundit në gjysmëfinale të Championsit. Skuadra gjermani bëri mrekullinë në ndeshjen e kthimit ndaj Atleticos së Madridit, të cilin e mposhti 4-2,...