Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Superclasico transferohet në “Monumental”, kush do të dominojë Amerikën Latine

Pas takimit të vajtjes tashmë gjithçka është gati për ndeshjen e kthimit në përballjen River Plate-Boca Juniors, që do të përcaktojë edhe klubin fitues të edicionit të 59 të Kupës Libertadores. Në “Bombonera” Superclasico nuk nxori fitues dhe “los millionarios” ndonëse u gjendën dy herë në disavantazh ia dolën mbanë për të barazuar shifrat.

Këtë herë radhën për të pritur derbin e zjarrtë të Buenos Airesit e ka Stadiumi Monumental, shtëpia e Riverit, ku vendasit kanë humbur vetëm 1 nga 21 përballjet e fundit, pikërisht takimin e parë në fazën gjysmëfinale me Gremion e Porto Alegres. Natyrisht edhe këtë herë do të mungojnë tifozët miq, kështu që ekipi i Marcelo Gallardo-s ka goxha avantazh në aspektin psikologjik. Vetë 42-vjeçari e ka fituar këtë trofe edhe si futbollist me Riverin 22 vjet më parë, megjithatë në krahun tjetër Guillermo Barros Schelotto një idhull për tifozët e Boca-s në këtë aspekt është shumë herë më i suksesshëm dhe është shndërruar në një të pavdekshëm për “xeneizes”, teksa e ka fituar plot katër herë kupën më të lakmuar në Amerikën e Jugut si lojtar.

Që të dy do të mbeten thellë në historinë e klubeve respektivë, por është e kuptueshme që në fund lavdi do të ketë vetëm për njërin prej tyre, për t’u krenuar më pas me fitimin e Kupës Libertadores me klubin e zemrës qoftë si futbollist ashtu edhe si trajner. Këtë radhë në “Monumental” pritet të jenë të pranishëm plot 70.000 spektatorë, sidoqoftë masat e sigurisë natyrisht që janë shtuar, pasi bëhet fjalë për Superclasico-n më të rëndësishme të të gjitha kohërave. Në takimin e parë Gallardo fitoi betejën taktike, duke befasuar jo pak me zgjedhjen e tij për të luajtur me tre qendërmbrojtës.

Trajneri i Riverit zhvendosi lojtarin e krahut të majtë Gonzalo Martinez në qendër dhe sigurisht që kishte një meritë të jashtëzakonshme për spektaklin e dhuruar në “Bombonera”. Si rezultat derbi i flaktë i Buenos Airesit prodhoi barazimin spektakolar 2-2 pas plot 31 ndeshjeve, gjithsesi siç dihet në këtë pjesë të globit golat në fushën kundërshtare në këtë fazë të kompeticionit nuk vlejnë aspak, kështu që gjithçka për të dy ekipet fillon nga e para. Në ndeshjen e parë dy klubet nuk u morën fare me llogari, ndërsa këtë herë gjërat ndryshojnë. Kureshtja është e madhe për të parë reagimin dhe vendosjen në fushë të të dyja skuadrave, apo dhe për të kuptuar se kush nga trajnerët do të guxojë më shumë.

Të dy ekipet nuk kanë asnjë avantazh për të mbrojtur, kështu që lind natyrshëm pyetja nëse në këtë fazë është më mirë për të tentuar gjithçka përpara, apo është më mirë që skuadra të qëndrojë prapa për të kapur në befasi kundërshtarin nëpërmjet kundërsulmeve të shpejta. Gallardo që e drejton Riverin që nga viti 2014 në shumë raste është treguar tepër i zoti për të ndryshuar rreshtim, pikërisht në ndeshjet më të rëndësishme, sidoqoftë këtë radhë ish-mesfushori i Monakosë dhe Paris SG nuk do të ketë në dispozicion sulmuesin e shpejtë kolumbian Santos Borre, ndërsa sulmuesi tjetër Nacho Scocco mbetet në dyshim, ndërkaq ekipit i rikthehet 36-vjeçari Leonardo Ponzio, veterani që mban edhe shiritin e kapitenit.

Te Boca me shumë gjasa do të mungojë në krah Cristian Pavon, gjithsesi mbetet për të kuptuar nëse Schelotto do t’i besojë apo jo dyshes së veteranëve Tevez-Zarate përpara. Për miqtë objektivi është më se i qartë. Fitimi i Kupës së Libertadores në shtëpinë e rivalëve më të urryer, ndërsa vendasit do të bëjnë çmos për të shmangur një poshtërim të tillë, sidoqoftë në fund mund të mos mjaftojnë 90′ e kohës së rregullt apo qoftë edhe 30′ shtesë, në një përballje që pritet me drithërima në të dy kampet, por që shënon njëherësh edhe rastin e fundit kur klubi kampion i këtij aktiviteti shpallet kampion pas dy ndeshjeve me sistem vajtje – ardhje, sepse duke filluar nga edicioni i ardhshëm që mbi të gjitha përfaqëson edhe një edicion jubilar finalja do të zhvillohet me tek ndeshje, e më konkretisht në vitin 2019 takimi që do të përcaktojë fituesin do të luhet në kryeqytetin e Kilit Santiago.

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Champions League

Champions League do të nisë sezonin e ri me një formulë të re, teksa rrugëtimi do të startojë nga një grup i vetëm, me...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...