Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Superliga vjen me 4 takime, Kukësi e Bylis shans për të marrë kreun

Kategoria Superiore do të vijojë sot me 4 ndeshjet e radhës të javës së 15, të cilat mund të sjellin edhe ndryshime të rëndësishme në renditje, teksa Partizani, pas humbjes së mbrëmshme në derbi ndaj Tiranës, mund të dorëzojë kreun, që e mban prej javësh.

Kështu në orën 13:00, në Vlorë do të zhvillohet përballja mes Flamurtarit dhe Bylisit, me vlonjatët që janë në një moment të vështirë dhe nga java në javë po humbin edhe të fundit gjë që ju ka mbetur, shpresa se mund të mbijetojnë.

Me një organikë të cunguar dhe me futbollistë që nuk paguhen prej kohësh, skuadra e Flamurtarit po përpiqet të respektojë maksimalisht kampionatin dhe shpesh ka bërë surpriza në fushë, por sërish duket e vështirë që të ndalë ballshiotët.

Këta të fundit po bëjnë një sezon në kufijtë e perfektes dhe përtej çdo parashikimi, teksa javën e kaluar mposhtën Partizanin dhe tani e shohin veten vetëm dy pikë larg kreut, por që nëse marrin maksimumin në Vlorë, mund të parakalojnë të kuqtë.

Po në orën 13:00, Laçi do të kërkojë suksesin e radhës në shtëpi, këtë herë përballë Luftëtarit, që ashtu si Flamurtari ,është thuajse i dorëzuar në garën për mbijetesë dhe shpresat e vetme i ka të ndonjë ndryshim rrënjësor gjatë merkatos së janarit.

Kurbinasit po bëjnë paraqitje mjaft të mira, që kur në pankinë është ulur shkodrani Armando Cungu dhe kanë regjistruar 5 fitore në 7 takime, ndërsa sot do ët kërkojnë suksesin e 6, që do t’i çonte në kuotën e 25 pikëve, aq sa ka edhe Partizani, momentalisht kryesues i kampionatit.

Në orën 16:00 në Korçë do të zhvillohet sfida mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, një takim mes dy skuadrave që kanë arritur të grumbullojnë të njëjtën sasi pikësh në 14 javët e para, 20 të tilla dhe që po luftojnë për t’iu larguar sa më shpejt vendit të tetë, që përkthehet në Play Off për mbijetesën.

Korçarët vijnë pas një humbjeje në sekondat e fundit përballë Teutës në Durrës një javë më parë dhe do të kërkojnë rikthimin te suksesi, por problemi i skuadrës së Ilir Dajës është se ka treguar oshilacione të shumta gjatë gjithë sezonit.

Më e stabilizuar duket skuadra shkodrane, që tani ka një identitet loje dhe rreshtohet shumë mirë mbrapa, por vuan mungesën e një bomberi në majë të sulmit, që të shndërrojë në gola, mundësitë që krijohen nga kundërsulmet e shpejta.

Kukësi duket se ka gjetur formën më të mirë, i ndihmuar edhe nga rikuperimi i plotë i lojtarëve si Shkurtaj, Abazaj, Gavazaj e Rroca, ndërsa sot do të ketë mundësinë që të marrë kreun e renditjes i vetëm, nëse do të arrijë të mposhtë Teutën.

Sfida me durrsakët do të zhvillohet në orën 16:00 në “Elbasan Arena”, një terren mjaft i mirë që u lejon verilindorëve të shfrytëzojnë maksimalisht kualitetet që kanë në dispozicion, ndërsa për skuadrën e Shkëmbit pritet një pasdite vërtetë e vështirë, jo vetëm për faktin që do përballet me një kundërshtar të fortë, por edhe për shkak të mungesave të rëndësishme.

Të 4 takimet do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në ekranin e Supersport, bashkë me emisionin e përhershëm të Superiores, “Gol pas Goli”, që nën moderimin e Vilma Mashës dhe me panelin e gazetarëve dhe analistëve, do të sjellë analiza para ndeshjeve dhe komente pas tyre.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...