Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Takaj: Skënderbeu shumëdimensional, punohet për merkaton,Europën dhe titullin

Skuadra e rekordeve dhe jo rastësisht. Ecuria e frikshme në kampionat, ku duket se nuk ka rivalë dhe paraqitje e kënaqshme në grupet e Europa League. Skënderbeu i këtij viti duket një makineri që funksionon në mënyrë perfekte, me presidentin Ardjan Takaj që në emisionin Zona Gol në “Supersport” zbuloi formulën e suksesit.

“Skënderbeu ka staf që merret me merkaton. Por, nuk e bëjmë në momentet e fundit, apo në javën e fundit të kampionatit. Ne merremi shumë më përpara. E dimë më herët se cilët lojtarë do të shesim. Kur je në kohë dhe ke 7 apo 8 muaj përpara, përzgjedhjen mund ta bësh më cilësore, duke ia përshtatur edhe lojës së skuadrës. Është një grup që punon, nuk merret vetëm presidenti, edhe pse unë jap viston në momentin e fundit. Kemi informacione të plota për të gjithë talentet në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni. Ne punojmë shumë më përpara. Që në këto momente jemi duke punuar për Europën, për muajin qershor. E dimë që tani se cilët lojtarë do të largojmë dhe kemi kohë të përzgjedhim”.

Presidenti i korçarëve e cilësoi të suksesshme ecurinë e skuadrës në pjesëmarrjen e dytë në grupet e Europa League. Deri në gjysmën e sezonit Skënderbeu ka luajtur sa për një edicion të plotë, ndërsa pengu është kualifikimi i munguar.

“Ky është viti më i suksesshëm në historinë e klubit. Jo nga pikëpamja financiare, por për arritjet sportive. Po luajmë dy kampionate, një në Europë, ku kemi luajtur 13 ndeshje dhe një në Shqipëri, ku kryesojmë pas 11 javësh. Jemi shumë të suksesshëm deri në këto momente, pasi të kesh 5 pikë në grupin me kundërshtarë kaq të vështirë dhe të fitosh përballë Dinamos së Kievit nuk është e pakët. Me pak fat dhe më tepër besim, mund të kishim bërë pak më mirë dhe të kalonim grupet e Europa League. Megjithatë për klubin dhe për mua objektivi është arritur. Duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse jemi mes klubeve modeste europiane. Këto janë të ardhurat e skuadrave shqiptare dhe çfarë sakrifice bëjnë presidentët për t’i mbajtur”
.

Sipas përllogaritjeve në vija të trasha, në 5 vjet me Takajn në krye, përveç trofeve, Skënderbeu ka përfituar rreth 15 milionë euro, kryesisht mes shpërblimeve të UEFA-s dhe merkatos. Para që sipas bosit korçar, janë përdorur për investime, për ta mbajtur klubin në nivele të larta, me presidentin që jep një këndvështrim tejet interesant sesi e shihte futbollin në vitet e para të drejtimit.

“Në futboll është shumë e vështirë të fitosh, pasi jemi në hapat e para. Që të futesh në futbollin e madh, shpenzimet janë të mëdha. Nuk jemi duke fituar, por të ardhurat e UEFA-s po i investojmë. Që të rrisësh nivelin e skuadrës, duhet të rrisësh shumë shpenzimet, sepse përballesh me kundërshtarë të një tjetër niveli. Para se të merrnim Skënderbeun së bashku me ish-presidentin Zeqo, futbolli ishte pa perspektivë dhe pa rrugë për të fituar. Ishte një gropë e madhe, që duhej të shpenzoje lekë pa fund. Ishte një fondacion bamirësie, por bamirësi argëtimi dhe pa kuptim fare dhe jo për familje në nevojë. I kam hyrë kësaj pune, i bindur se mund ta fusja në efiçencë këtë lloj biznesi, që deri në atë periudhë ka qenë jashtë çdo logjike financiare. Kishim një bast me veten tonë, që brenda 3 vjetëve do të ishim në grupet e Europa Leagues. U ndëshkuam me BATE Borisovin dhe me atë gabim të arbitrit, por në vitin pasardhës e arritëm”.

Presidenti Takaj foli edhe për supersfidën e kampionatit me Partizanin, ku pasi nënvizoi se ky duel nuk vendos asgjë përsa i takon sezonit të Skënderbeut, shprehu vlerësime maksimale për forcën e rivalëve.

“Partizani nuk diskutohet, sepse që në momentet e para futet në garë për titullin. Normalisht janë shumë të fortë, pavarësisht asaj periudhës që kaluan, sepse kjo i ndodh të gjitha ekipeve, madje i ka ndodhur edhe Skënderbeut. Partizani besoj do ta kalojë krizën, sepse një klub i madh di t’i kalojë dhe ti menaxhojë vështirësitë. Është shpejt të flasim për titull. Sepse nuk është se kemi ndonjë distancë shumë të madhe me rivalët për momentin. Të gjithë i kanë mundësitë për ta arritur dhe kaluar Skënderbeun. Asnjë nuk heq dorë kaq shpejt nga kampionati. Megjithatë, pas qetësisë me mbylljen e ndeshjeve europiane, do të fokusohemi të kampionati. Me paraqitjet në Europë mund të thuash që jemi shumë të fortë për Partizanin, megjithatë kjo do të jetë një sfidë shumë e fort. Objektivi ynë është t’i fitojmë të gjitha ndeshjet dhe të fitojmë në çdo fushë”
.

Drejtuesi i klubit foli edhe për gabimet e gjyqtarëve dhe polemikat me të cilat shoqërohen këto situata, që shpeshherë dëmtojnë vetë futbollin.

“Gabimet e gjyqtarëve? Futbolli është i njëjti në të gjithë botën. Të njëjtat diskutime ka në të gjitha kampionatet. Problemet, si i kemi ne në Shqipëri, i kanë të gjithë. Arbitri gabon sepse njeri është. Në Spanjë nuk diskriminohet futbolli se gaboi gjyqtari. Ndërsa këtu problemet bëhen shumë të mëdha, ka skuadra që pretendojnë në njërën anë 4 dhe në tjetrën 3 penallti, sikur luhet basketboll. Federata duhet të vendosë disa rregulla të forta, sepse nuk mund të dilet menjëherë pas ndeshjes me akuza. Kështu ne po prishim me duart tona futbollin”.

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

La Liga

Që kur Xavi Hernandez njoftoi se do të largohej nga Barcelona në fund të sezonit, gjërat kanë filluar të shkojnë më mirë te “Blaugrana”....

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...