Connect with us

Hi, what are you looking for?

Merkato

Talenti i Leverkusenit në gjurmët e Werner, kërkon transferimin në kampionatin anglez

Kai Havertz u shpreh dëshirën e tij drejtuesve të Chelsea-t, për të kaluar në radhët e bluve. 21-vjeçari i përfaqësueses gjermane mendohet se është në kontakt të vazhdueshëm me krerët e klubit londinez dhe mesfushori me tipare sulmuese ka informuar drejtuesit e Chelsea-t për qëllimin e tij, për t’u zhvendosur në ishull në Premier League.

Havertz konsiderohet si një ndër futbollistët më të talentuar të “mannschaft”-it dhe për hir të së vërtetës nuk është për herë të parë që emri i tij lidhet ngushtë me klubin e famshëm anglez. 21-vjeçari nga Aachen-i ka rënë në sy prej kohësh për lojën dhe cilësitë e shfaqura në fushën e lojës, me fanellën e një klubi si Bayer Leverkusen. Mësohet se Kai Havertz ka shfaqur hapur dëshirën e tij për t’iu bashkuar Chelsea-t që këtë verë dhe nga sa bëhet e ditur stafi dhe menaxherët e tij po bëjnë çmos që transferimi i tij të realizohet që në muajt e ardhshëm.

Ndonëse në moshë fare të re, Havertz që tani është një ndër tre kapitenët e “aspirinave” dhe numri 29 i Leverkusenit mund të luajë shumë mirë në fazën e organizimit në mesin e fushës, si në qendër ashtu edhe në krahun e djathtë, pa harruar faktin që ai mund të mbulojë gjithashtu shkëlqyeshëm edhe rolin e qendërsulmuesit, pozicion ku e ka treguar më së miri veten, pasi në mungesë të sulmuesit kryesor të ekipit Kevin Volland për arsye dëmtimi skuadrën e drejtuar nga trajneri holandez Peter Bosz e mori përsipër pikërisht Havertz, që e përfundoi këtë edicion të Bundesligës si golashënuesi më i mirë i Leverkusenit, me 12 gola gjithsej, në 30 ndeshje në kampionatin gjerman.

Gjashtë prej këtyre golave kanë shërbyer për të zhbllokuar ndeshjet për ekipin e tij dhe vetëm në një rast goli është realizuar nga pika e bardhë e 11-metrave, sakaq Havertz ka dhënë gjithashtu edhe një kontribut tepër të çmuar duke ndihmuar shokët e skuadrës me 6 asiste. Prej një viti vlera e tij ishte pak a shumë e njëjtë. Bëhet fjalë për një shumë marramendëse prej plot 90 milionë euro, megjithëse së fundmi duke marrë në konsideratë edhe pasojat e pandemisë së koronavirusit vlera aktuale e tij sipas transfermarkt-it ka rënë në 81 milionë euro.

Nga sa kuptohet Reali i Madridit dhe Bayerni i Mynihut nuk i kanë paratë e mjaftueshme për të siguruar shërbimet e këtij lojtari që në merkaton e kësaj vere, prandaj edhe drejtuesit e këtyre klubeve i janë lutur futbollistit nga Westfalia për të qëndruar edhe për një tjetër sezon në radhët e Leverkusenit. Gjërat pritet të zgjidhen shpejt në këtë aspekt, pasi drejtuesit e Chelsea-t që kanë qenë në bisedime prej javësh me menaxherin e tij, i kanë ofruar Havertz-it menjëherë një kontratë të majme 5-vjeçare.

21-vjeçarit i ka bërë shumë përshtypje ambicia e drejtuesve të Chelsea-t për ta rikthyer klubin në majat më të larta, gjë që konfirmohet edhe nga vetë blerjet e emrave të tillë si Timo Werner nga Leipzig-u dhe Hakim Ziyech nga Ajaksi i Amsterdamit. Një frymë e tillë mund të japë shpejt frytet, për një futbollist që vlerësohet plot 100 milionë euro nga drejtuesit e Bayerit, megjithëse te Chelsea në fakt e çmojnë këtë lojtar vetëm me një shifër afërsisht 77 milionë euro.

Përsa i përket lojtarëve të tjerë mbrojtësi Emerson Palmieri është nxjerrë në shitje për vlerën e 22 milionë stërlinave, me klube si Juventusi dhe Interi që janë shumë të interesuar për të, megjithatë “zonja e vjetër” interesohet gjithashtu edhe për mesfushorin Jorginho, për më tepër ka patur bisedime së fundmi ndërmjet menaxherit të tij dhe drejtuesve të bluve.

Reali i Madridit duhet të shesë patjetër shumë lojtarë për të siguruar kalimin e Havertz-it në Spanjë, ndërsa bavarezët e Bayernit i kanë duart të lidhura pas parave të shpenzuara për të marrë shërbimet e lojtarit të Manchester City-t Leroy Sane, gjë e konfirmuar edhe nga vetë Karl – Heinz Rummenigge, që vetëm pak kohë më parë deklaroi se transferimi i Havertz-it në radhët e Bayernit që këtë verë kërkon sakrifica të mëdha dhe është i pamundur në aspektin financiar, por klubi synon që ta afrojë në gjirin e ekipit 12 muaj më vonë.

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

La Liga

Që kur Xavi Hernandez njoftoi se do të largohej nga Barcelona në fund të sezonit, gjërat kanë filluar të shkojnë më mirë te “Blaugrana”....

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...