Kombëtare

Talenti që po djeg etapat, njihuni me 15-vjeçarin që surprizoi edhe Bulkun!

Të djegësh etapat në futboll nuk është asnjëherë e lehtë e aq më tepër të jesh gjithmonë një hap më lart se bashkëmosharët e t’u. Partizani gjithmonë ka qenë një burim talentesh në futbollin shqiptar dhe Erjon Bogdani, Elis Bakaj, Gjergji Muzaka, Amir Rrahmani, Jurgen Bardhi etj, janë vetëm disa nga futbollistët që kanë bërë karrierë dhe që hapat e parë i kanë hedhur pikërisht te të kuqtë. Kristi Gjeta, fiksojeni mirë këtë emër, sot mund të tingëllojë thjeshtë si një i panjohur, por talentin e ka me bollëk dhe e ardhmja mund të jetë e ndritur për të. Nuk ka mbushur ende 16-vjeç, sëfundmi ka qenë pjesë e grumbullimit të kombëtares U-17 të drejtuar nga Ervin Bulku ndërkohë që në dy sezonet e fundit ka spikatur jashtëzakonisht shumë me Partizanin U-17 që ka në krye një emër të madh të futbollit shqiptar si Ledio Pano, djali i legjendës Panajot Pano.

Në ndeshjen brenda grupit mes lojtarëve që vinin nga jashtë dhe atyre që luajnë Shqipëri që u zhvillua sot në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz, Bulku e përfshiu në ekipin e futbollistëve të datëlindjes 2006-të që vinin nga jashtë dhe Kristi Gjeta i përmbushi të gjitha pritshmëritë e trajnerit duke treguar shumë nga cilësitë e tij. Luan si sulmues i krahut të majtë. Sezonin e kaluar e nisi me Partizanin U-15 dhe pas 7 golave të realizuar që në javët e para të kampionatit, kaloi menjëherë te skuadra e Ledio Panos. Edhe pse ishte shumë më i vogël se grupmosha kundër të cilëve luante, pasi është i qershorit të 2006-ës, Gjeta u vu menjëherë në evidencë me klasin dhe talentin e tij duke shënuar 8 gola me Partizanin U-17 të Ledio Panos.

Edhe në këtë sezon ka ecur me ritme shumë të larta teksa ka shënuar 5 gola në 9 ndeshjet e para me Partizanin e 17-vjeçarëve që pozicionohet në vendin 2-të vetëm 2 pikë pas Dinamos, me 8 fitore dhe një barazim. Edhe 2022 nisi në mënyrën më të mirë për të sepse përveç ftesës nga kombëtarja U-17, debutoi edhe Partizanin U-19 që drejtohet nga Renaldo Kalari, pikërisht në fitoren 4-1 ndaj Flamurtarit në Kupën e Shqipërisë ku dha edhe një asist. Nëse vazhdon me këto hapa, punon me përkushtim dhe qëndron me këmbë në tokë, shumë shpejt Kristi Gjeta nga Partizani i Ledios Panos mund ta shohë veten te skuadra e parë me ëndrrën dhe shpresën për t’u bërë dikushi në futboll, në mënyrë që Erjon Bogdani, Elis Bakaj, Gjergji Muzaka apo Jurgen Bardhi të mos jenë thjeshtë idhujt e tij në jetë, por arritjet e tyre t’i shërbejnë si një mësim se në futboll me dëshirë, talent dhe punë mund të arrish gjithçka.

Të Fundit

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency