Igli Tare ka deklaruar se merkatoja e Lazios është bërë në konsultim të plotë me trajnerin Maurizio Sarri, teksa ka zbuluar se mesfushori spanjoll Luis Alberto do të veshë fanellën bardhekaltër edhe këtë sezon, duke i mbyllur dyert Sevillas.
“Luis Alberto nuk do të lëvizë. Do të luajë me fanellën e Lazios edhe këtë sezon. Skuadra është konkurruese edhe kështu siç jemi aktualisht, pasi mendoj se jemi përforcuar mirë në merkato. Kemi bërë çdo lëvizje në konsultim me trajnerin Sarri, megjithatë kur ndryshon, duhet pak kohë që të shfaqen rezultatet”, u shpreh shqiptari.
Sa u përket objektivave, Tare preferoi të tregohej i rezervuar, megjithatë u shpreh se duke u bazuar në përgatitjet verore, beson që Lazio do të bëjë një sezon si protagonist në Serinë A.
“Unë arsyetoj në bazë të asaj çfarë kam parë në fazën përgatitore dhe besoj se jemi përmirësuar shumë. Nuk mund të them objektiva konkretë tani, por jam i sigurt që do të bëjmë një sezon si protagonist”, u shpreh drejtori sportiv i Lazios.
