Skocezët e Rangers bënë një udhëtim fantastik në Europa League, duke arritur deri në finale, por aty fati i “tradhtoi”, pasi shkoi në anën e gjermanëve të Eintracht Frankfurt, të cilët fituan 5-4 me penallti dhe ngritën trofeun.
Kapiteni i Rangers, James Tavernier nuk e fshehu zhgënjimin, megithatë pas ndeshjes deklaroi se ndihet krenar për atë që ai dhe shokët e skuadrës kanë bërë këtë sezon.
“Kjo që bëmë këtë sezon, ishte e jashtëzakonshme dhe dua të falënderoj të gjithë djemtë e ekipit. Për fat të keq nuk e kaluam vijën finale, por i shkuam pranë dhe tani jemi të vetëdijshëm për forcën tonë. Falënderoj tifozët për përkrahjen e pakushtëzuar dhe i garantoj se na presin të tjera finale si kjo”, tha kapiteni i Rangers.
