Kategoria Superiore

Te Kamza e konsiderojnë të mbyllur firmën me Sebino Plakun

Te Kamza janë të sigurt, kapiteni do të rikthehet. Drejtuesit e klubit nga periferia e kryeqytetit kanë qenë në bisedime të vazhdueshme me Sebino Plakun dhe kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të vijuar bashkëpunimin edhe sezonin e ardhshëm.

Për momentin, nuk ka të zezë mbi të bardhë edhe për faktin se 33-vjeçari ka nënshkruar një kontratë me Kukësin për të qenë pjesë e bluve në kompeticionet europiane, por në çastin kur aventura e bluve të përfundojë, sulmuesi do të firmosë për Kamzën, të paktën kjo është ajo që besojnë drejtuesit e klubit.

Në rast se nënkampionët realizojnë ëndrrën për të qenë pjesë e grupeve të Europa Leagues, atëherë lojtari do të negociojë sërish. Kalimi i mundshëm i Kukësit në fazën e grupeve nuk e bën të sigurt vazhdimin e aventurës së Plakut me verilindorët. Me afrimin Claudio Bonnanit skuadra  është formuar në masën 90% dhe nuk do të ketë ndërhyrje të mëdha. Pak kohë më parë Devolli pretendoi investime të cilat erdhën menjëherë dhe në harkun e dy javëve ekipi u plotësua, tashmë duhet vetëm qershia mbi tortë, Sebino Plaku.

To Top